Portieri Onana nuk ka bindur te Manchester United. I konsideruar gardian premtues për të ardhmen dhe i transferuar për 55 milionë euro nga Interi, në “Old Trafford” janë zhgënjyer me paraqitjet e ish-portierit të Ajax-it.
Onana ka reflekse, por bën gabime, sidomos në daljet e tij të pasigurta, që shumë herë kanë rrezikuar portën e “Djajve të kuq”. Trajneri Ten Hag tashmë ka marrë direktiva nga klubi për të shqyrtuar disa opsione.
Emri më i përmendur deri tani vjen nga Portugalia. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Diogo Costa, i cili luan te Porto dhe ruan gjithashtu portën e kombëtares luzitane.
Problemi është klauzola e tij e lartë, plot 75 mln euro, një shifër jo e papërballueshme, por e tepërt për një portier ende të paprovuar sa duhet në arenën ndërkombëtare në nivel klubesh.
Onana e ka mbajtur portën vetëm 6 herë të paprekur në 46 ndeshje gjithsej. Statistikat flasin qartë për një pasiguri të madhe mes shtyllave të Manchester United. Duhen ndryshime, por duhen edhe shumë para.