Ishte një mbrëmje me emocione të forta të martën në “Parc des Princes” për shkaqe sportive, por gjithashtu për shkak të asaj që ndodhi pas fishkëllimës së fundit. Pikërisht autori i këtij akti, arbitri, italiani Daniele Orsato, ishte protagonist i 90 minutave të gjysmëfinales së kthimit mes PSG-së dhe Borussia Dortmundit.
Kjo gjysmëfinale ishte, në fakt, ndeshja e fundit e drejtuar në Champions League prej arbitrit veteran nga Vicenza. Kështu, kamerat televizive e kapën Orsaton duke qarë në fund të takimit. Një moment emocioni i kuptueshëm në nivel njerëzor dhe profesional. Arbitri u shoqërua shumë shpejt nga ndihmësit e tij, të cilët e përqafuan dhe e mbështetën.
Orsato, i cili do të arbitrojë në “Euro 2024” këtë verë (ngjarja e tij e fundit ndërkombëtare), ka drejtuar 56 ndeshje të Champions League në karrierën e tij, duke përfshirë finalen midis PSG dhe Bayern Munich në gusht 2020 (ajo gjatë pandemisë), e cila përfundoi me fitoren bavareze pas golit të Coman.