“Ozil është një nga lojtarët më të këqij në botë pa top”

1 Korrik 2020
12:40
Alfred Lleshi
back button

Mesut Ozil është një nga lojtarët më të këqij në botë pa top, sipas Paul Merson, i cili e ka kritikuar yllin e Arsenalit për sjelljen e tij në fushë. Turko-gjermani ka munguar në tri nga katër ndeshjet e fundit të skuadrës së Mikel Arteta, që nga rifillimi i Premier League më 17 qershor. 31-vjeçari nuk ka asnjë minutë aktivizim gjatë kësaj periudhe, përkundër përpjekjeve të Arsenalit për kreativitet në tri sfidat e fundit. Pavarësisht kësaj, Ozil vazhdon të fusë në xhep 350.000 £ në javë, si përfituesi më i madh i klubit londinez.

Ai është kontraktuar të qëndrojë në “Emirates Stadium” deri në verën e ardhshme. Merson nuk mendon se Arsenali do të jetë në gjendje të bëjë asgjë me të, përpara se marrëveshja e tanishme të skadojë. Ish-mesfushori i “Topçinjve” tha për “Sky Sports”: “Unë mendoj se Ozil është modeli kryesor i një lojtari, që duhet të luajë në ekipin e duhur, duke dominuar ndeshjet e futbollit. Ai duhet të luajë në një ekip kryesisht të suksesshëm, por jo në Arsenalin aktual. Dhe ja përse: Mesut nuk do ta ndryshojë lojën e tij tani në të 30-tat, as Arsenali nuk do të ndryshojë në funksion të tij. Ne të gjithë e dimë se si luan Ozil, ju i jepni topin dhe ai do t’ju gjejë. Nëse nuk ka topin në këmbë, është lojtari më i keq i mundshëm. Mesut nuk është i interesuar për çfarë ndodh në fushë, pa topin në këmbët e tij. Si mund t’i jepni dikujt 350 mijë £ në javë, kur të gjithë e dinim se cili ishte stili i tij i lojës?

E përsëris, nëse nuk e ka topin në zotërim, ai është një nga lojtarët më të këqij në botë! Unë kurrë nuk kam parë dikë kaq të pakënaqur, kur nuk e posedon topin. A mundet që Arsenali të formojë një ekip të tërë rreth tij? Me siguri jo. Ndoshta ai do të marrë 200 mijë £ në javë diku tjetër, nuk e di se si zgjidhet kjo. A dëshiron të luajë futboll? Nëse e do futbollin, ai duhet të gjejë një marrëveshje me Arsenalin, por është e lehtë të thuhet kjo. Askush nuk dëshiron të humbasë 150 mijë £ në javë, pavarësisht sa fiton! Mos vallë është i çmendur, sa t’i refuzojë ato para? Kjo nuk ndodh, pavarësisht se kush je”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit