I intervistuar nga “Tuttosport”, Christian Panucci ka folur për mbrojtësin e Empolit, objektivin e supozuar të transferimit të Juventusit, Ardian Ismajli. Ja fjalët e ish-trajnerit të kombëtares sonë kuqezi, një zë autoritar në futbollin italian:
“Në vitin 2018 kam qenë trajner i kombëtares shqiptare dhe kam shkuar nëpër Europë duke kërkuar lojtarë të rinj për t’i thirrur. Unë bëja skautizëm të dorës së parë dhe e pashë në Kroaci, ku Ardiani luante për Hajdukun e Splitit. Më befasoi menjëherë, ndaj ndërmora hapa për të biseduar me të dhe për ta bindur që të zgjidhte Shqipërinë, duke qenë se Ismajli ishte tashmë në kombëtaren e Kosovës.
Ai është bërë një mbrojtës shumë i besueshëm, ka treguar rritje të pabesueshme vitet e fundit, duke u spikatur si një nga qendërmbrojtësit më të mirë në kampionatin tonë. Edhe në nivel temperamenti është shumë solid. Si në aspektin e aftësive, ashtu edhe për seriozitetin që ka si futbollist, ai do të ishte perfekt për stilin e Juventusit”.
Ish-trajneri kuqezi vazhdoi: “Personalisht e prisja që të arrinte këtu ku është, gjithmonë kam pasur besim të madh në aftësitë e tij. Ismajli është bërë një lojtar i shkëlqyer dhe po kalon një sezon të mrekullueshëm me Empolin. Ai është me të vërtetë shumë i mirë në 20 metrat e fundit të fushës, duke mbrojtur.
Po kështu është shumë solid dhe i besueshëm në shënimin e golave. Unë kam qenë gjithmonë i bindur për potencialin e tij. Ismajli dhe Ramadani, që tani luan te Lecce, të cilin e zbulova te Velje BK, janë dy zbulime për të cilat ndihem krenar. Në Shqipërinë e asaj kohe askush nuk dinte për ekzistencën e tyre.
Megjithatë, tani janë ndër lojtarët më të konsideruar dhe pëlqehen nga klube të rëndësishme. Ismajli është një djalë shumë serioz. Një nga ata me kokë të mirë mbi supe, që po e dha fjalën, di ta mbajë. Këtë e them nga përvoja direkte, siç ndodhi disa vite kur u thirr në kombëtaren shqiptare”.