Paradoski i Leipzig: skuadra që vlerësohet në Europë, por që urrehet në Gjermani

18 Mars 2022
16:12
Denis Hakanaj
back button

Shorti i çerekfinaleve të Europa League ka vënë përballë Atalanta-s Leipzig-un, jo saktësisht skuadra më e lehtë për t’u përballur. Megjithatë, në Gjermani, ata që nuk janë tifozë të skuadrës së Tedesco-s, do të luten për fitoren e Gjimshitit me shokë.

Ajo e Leipzig-ut duket një përrallë e futbollit, por është kështu jashtë kufijve. Në atdhe, tifozët gjermanë nuk do t’ua tregonin kurrë historinë e Hirushes Leipzig fëmijëve të tyre.

NGJITJA – Gjithçka ka filluar pothuajse 13 vite më parë, në korrikun e 2009-ës, kur ka nisur ngjitja: në shtatë vite, nga kategoria e pestë e Bundesliga-s në Europë. Një rritje e shpejtë që ka befasuar, ose më mirë ka bezdisur, gjithë Gjermaninë e futbollit.

Nga ana tjetër, Leipzig nuk ka asnjë lidhje me përrallat. Ishte gjithçka e programuar. Objektivi, në momentin e blerjes së klubit nga ana e Red Bull, parashikonte që në 10 vite skuadra të arrinte një kualifikim në kompeticionet europiane. Objektiv i arritur në kohë.

Ashtu si ai për t’u bërë skuadra më e urryer në Gjermani. Në Bundesliga, deri para pak vitesh, Hoffenheim ishte skuadra më pak e durueshme, pikërisht për një “ngjitje” jashtë kontrollit.

Më pas është parakaluar nga Leipzig, i parë si një mashtrim nga tifozët gjermanë, që nuk falin: “faji” i skuadrës saksone që ka arritur të luajë një gjysmëfinale Champions-i më pak se dy vite më parë, është se ka arritur në nivele shumë të larta pa “histori” dhe me shtysën e parave të një kompanie ndërkombëtare.

PURITANIZËM – Asnjë parregullsi, kjo duhet të jetë e qartë, por në Gjermani arritja e niveleve të tilla nga asgjë konsiderohet e papranueshme në aspektin sportiv.

Është një çështje që ka të bëjë me kulturën e futbollit “të stilit të vjetër”, me puritanizmin që nuk është respektuar si nga blerja e titullit sportiv Markranstadt, ashtu edhe nga fakti se emri, RasenBall, ka qenë një mënyrë  mjaft dinake për të përdorur incialet e sponsorit Red Bull.

Më në përgjithësi, nga ato anë tifozi mesatar gjerman e refuzon idenë që një skuadër pa traditë historike, por e mbështetur nga investime ekonomike të mëdha, mund të ngjisë shkallët e futbollit gjerman dhe ta përfaqësojë atë në nivele të larta në fushën ndërkombëtare.

Deri kur ka qenë Nagelsmann në drejtim të ekipit, ëndrrat kanë qenë të justifikuara. Më pas, kur trajneri ka kaluar pikërisht te bavarezët, historia ka ndryshuar. Edhe pse përralla, pavarësiht pakënaqësisë së gjermanëve, duket se nuk ka mbaruar akoma. Madje, tani do të përballet me një përrallë tjetër me ngjyra zikaltër…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit