Paris 2024/ Valiev fiton “ripeshkimin”, sot pasdite garon për medaljen e bronztë olimpike

10 Gusht 2024
11:57
Telesport
back button

Mundësi shqiptar Chermen Valiev fitoi sot paradite garën e “ripeshkimit” në peshën 74kg, stili i lirë, duke mundur 12-2 Mohamedkhabib Kadzimahamedau të Rusisë, por që garon si neutral.

Një fitore që çon mundësin kuqezi në duelin për medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, çka do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për sportin shqiptar, ende pa asnjë medalje olimpike.

Një duel pa shumë histori, dominuar nga Valiev, që udhëhiqte 1-0 pas përfundimit të periodës së parë. Në të dytën epërsia e mundësit kuqezi është e madhe, duke u shkëputur e fituar pa vështirësi 12-2.

Në sfidën që do të zhvillohet sot pasdite, rreth orës 18:15, mundësi kuqezi do të duelojë për medaljen e bronztë ndaj Viktor Rassadin të Taxhikistanit, me shpresën që t’ia dalë mbanë e të varë në qafë medaljen e bronztë.

Në këtë turne, valiev ka arritur deri më tani dy fitore e një humbje. Në raundin e parë, ai mundi 4-3 Turan Bayramov të Azerbajxhanit, ndërsa në çerekfinale u mund 6-5 nga Razambek Jamalov i Uzbekistanit. Dhe sot vjen fitorja ndaj Kadzimahamedau.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit