Partizani eliminon Tiranën në derbi, sfidon Flamurtarin në finalet play off

1 Maj 2022
17:11
Gentian Spiri

Flamurtari dhe Partizani janë dy ekipet finaliste të play off-it në basketboll për femra. Ato triumfuan edhe sot, në ndeshjet e dyta gjysmëfinale, duke fituar 2-0 serinë e takimeve, respektivisht ndaj Studentit dhe Tiranës. Të dyja sfidat u luajtën në kryeqytet.

Kampionet vlonjate fituan me lehtësi 80-63 ndaj Studentit në “Asllan Rusi”, në një ndeshje që e dominuan e komanduan që nga fillimi deri në fund. Omerbasic me 22 pikë e 10 rebound ishte shënuesja më e mirë për Flamurtarin, që synon të mbrojë titullin kampion.

Mjaft e bukur gjysmëfinalja tjetër luajtur në “Fahrie Hoti”, ku Partizani fitoi në sekondat e fundit 81-80 ndaj Tiranës në derbi. Aida Palko ishte lojtarja lider e Partizanit, që edhe në këtë takim bëri diferencën me 30 pikë e 10 rebound. Po 30 pikë realizoi edhe Qosja për bardheblutë, por që s’mjaftuan për të fituar.

Gjysmëfinale-Femra

Nd.1, Flamurtari – Studenti, 76-52

Nd.1, Partizani – Tirana, 96-91

Nd.2, Studenti – Flamurtari, 63-80*

Nd.2, Tirana – Partizani, 80-81*

*Flamurtari e Partizani fituan 2-0 serinë e takimeve

Lajme të tjera

Lajmet e fundit