Partizani me trajner serb, Veselinovic: E ndiej dashurinë dhe respektin e shqiptarëve

27 Gusht 2024
9:10
Alfred Lleshi
back button

Partizani me trajner serb. Një lajm që nuk është pritur mirë nga të gjithë fansat e kuq, të cilët me ironi për drejtuesit e klubit kanë lënë komente në rrjetet sociale se tashmë quajeni më mirë “Partizani i Beogradit”. Aleksandar Veselinoviç merr zyrtarisht drejtimin e “demave të kuq”, në radhët e të cilëve luajnë edhe 6 lojtarë nga Kosova.

Trajneri 54 vjeçar është prezantuar në konferencën për mediat nga drejtori sportiv i klubit, Arbër Abilaliaj. Më pas, ekipi ka vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjes së radhës ndaj Teutës. Seanca e pasdites së djeshme është drejtuar nga Veselinoviç, i cili ka nisur zyrtarisht punën.

Drejtori Arbër Abilaliaj mbajti fjalën hapëse: Ju falënderojmë për praninë tuaj në këtë prezantim të trajnerit tonë të ri, Aleksandar Veselinoviç. Jemi shumë të lumtur që prezantojmë një profil shumë të rëndësishëm të trajningut në rajon. Eshtë një nga profilet që e kemi ndjekur dhe me dashamirësinë e këmbënguljen e presidencës kemi bërë këtë lëvizje. E afrojmë trajnerin Veselinoviç që të vazhdojë projektin e klubit Partizani”.

Më pas nisi rrëfimi i parë i trajnerit serb, tashmë “timonieri” i Partizanit (të Tiranës).

Çfarë ju bindi që të pranonit ofertën e Partizanit?
Partizani është një skuadër e madhe në Shqipëri. Jam shumë i lumtur, nuk jam njeri që përdor fjalë të mëdha. Jam vërtet shumë i lumtur, pasi kam gjetur një mikpritje shumë të ngrohtë këtu. E konstatova këtë që nga takimi me presidentin, stafin dhe njerëzit e tjerë në klub. Jam entuziast, pasi Partizani ka nisur një projekt. Për mua është një eksperiencë e re.

Cili është opinioni juaj për Partizanin?
I njoh pothuajse të gjithë lojtarët që janë pjesë e skuadrës. Kemi folur së bashku me drejtuesit e klubit për punën dhe detyrat që do të kemi në vijim. Në këtë moment të gjithë lojtarët janë pjesë e Partizanit, duhet t’i respektojmë ata. Kam krijuar një ide për të gjithë lojtarët nëpërmjet videove, por ju e dini që çdo trajner ka ide të ndryshme. Tashmë do t’i vëzhgoj edhe përgjatë seancave dhe procesit stërvitor.

A ju shqetëson fakti që nuk keni mundur të zhvilloni fazën përgatitore me skuadrën?
Jam 54 vjeç dhe kam 24 vite trajner. Kam mjaft eksperienca, kam punuar 12 vite në 4 shtete. Çdo vend dhe çdo klub janë të ndryshëm në mentalitet, në tradita, në emra. Jam shumë i motivuar. Për mua është shumë e rëndësishme që çdo mëngjes të shihem në pasqyrë dhe të them se duhet të jap më të mirën time. Mendoni sa njerëz duan të bëhen trajnerë dhe sa të tjerë dëshirojnë ta drejtojnë Partizanin. Kjo për mua është kënaqësi, dua ta shijoj këtë çdo ditë, sepse një jetë kam. Në këtë moment që gjendem në Shqipëri dëshiroj t’i falëndroj shumë të gjithë njerëzit, pasi këtu e ndjej ngrohtësinë e shqiptarëve, të gjithë janë shumë të sjellshëm. Kjo është shumë e rëndësishme për mua.

A ka nevojë skuadra për përforcime?
Do të shohim. Pak ditë më parë skuadrës iu largua Maguette, nuk është e lehtë të afrosh lojtarë të rinj te Partizani. Përveç gjërave që duhet t’i analizojmë, duhet të kemi parasysh çfarë përfaqëson ky klub, traditën që ka. Na duhen lojtarë që të jenë gati, të ndjejnë peshën e fanellës, të luftojnë për këtë klub. Maguette ishte një prej lidërve të ekipit. Ata lojtarë që do të vijnë këtu duhet të ndihen liderë, por koha që kemi në dispozicion është shumë e shkurtër. Njerëzit që punojnë në klub janë mjaft seriozë, po merren me çdo detaj, edhe me ambietimin e lojtarëve që mbase mund të afrohen.

Në cilin pozicion mendoni se mund të përmirësoheni në merkato?
Për pak ditë mbyllet merkatoja. Jam gjithmonë i gatshëm t’iu përgjigjem pyetjeve tuaja, por se në cilin pozicion ka nevojë skuadra të përforcohet nuk e them dot tani. Sot është dita ime e parë si trajner i Partizanit. Në këtë moment nuk jam i sigurtë nëse do të ishte korrekte të flasim për këtë temë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit