Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, në cilësinë e Zv.Presidentit të UEFA-s, mori pjesë në Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ku Giovanni Malagò u zgjodh Presidenti i ri i futbollit italian.
Gjatë punimeve të Asamblesë, Presidenti Duka mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të UEFA-s, duke përcjellë mesazhin e mbështetjes së institucionit më të lartë të futbollit europian për FIGC-në dhe futbollin italian.
Në fjalën e tij, Presidenti Duka përcolli përshëndetjet e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e FIGC-së si një nga federatat më të rëndësishme dhe me më shumë ndikim në futbollin europian.
“Është një nder i madh t’i përcjell përshëndetjet e UEFA-s kësaj asambleje të jashtëzakonshme. Ju përcjell përshëndetjet nga Presidenti Ceferin.

Ai shprehu mirënjohjen për ish-presidentin Gabriele Gravina për punën, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë e treguar në drejtimin e futbollit italian gjatë viteve të fundit, duke nënvizuar se rezultatet e arritura nga Italia në të gjitha nivelet dëshmojnë për forcën dhe cilësinë e sistemit të futbollit në vend.
“Dua të them disa fjalë në veçanti për Gabriele Gravinën, i cili nuk është vetëm Presidenti i FIGC dhe Zv.
Presidenti i UEFA-s, por edhe një mik me të cilin kam ndarë vite të rëndësishme në futbollin evropian. E falënderoj për punën e tij, pasionin dhe ekspertizën e tij, si dhe ndjenjën e përgjegjësisë me të cilën e udhëhoqi FIGC-në gjatë kohërave të vështira.
Dorëheqja e tij tregon përkushtimin e tij ndaj futbollit italian; është një vendim që meriton respekt, sepse marrja e përgjegjësisë në kohë të vështira kërkon guxim”.







