Pas eliminimit të Bayern Munich në 1/8 finale të Kupës së Gjermanisë, Bayer Leverkusen festoi fitoren në shtëpinë e kundërshtarit, duke kaluar në çerekfinale, falë golit të vetëm të shënuar nga Nathan Tella. Fitorja erdhi pas një sfide të ashpër, ku “Aspirinat” luajtën me një lojtar më shumë që nga minuta e 17-të, pas kartonit të kuq të Manuel Neuer për faull, si lojtar i fundit, ndaj Jeremie Frimpong.
Trajneri i Leverkusen, Xabi Alonso, foli për “Sky Sports DE” pas ndeshjes, duke shprehur krenarinë për ekipin e tij: “Jemi shumë krenarë që arritëm në raundin tjetër. Kishim planin tone të lojës, por kartoni i kuq për Neuer krijoi tensione. Gjatë pushimit të ndeshjes biseduam për mënyrën se si të përmirësoheshim kundër 10 lojtarëve dhe bëmë disa ndryshime.
Ishim më të qëndrueshëm dhe të duruar, duke pritur momentin tonë. Krosi i Grimaldos ishte perfekt dhe goli i Nathan ishte fantastik, shumë i rëndësishëm për ne. Pas golit, vuajtëm deri në fund, por kjo është normale në ‘Allianz Arena’. Një vend i mundshëm në finale? Tani jemi në çerekfinale, nuk flasim për finalen. Nuk ka kuptim. Fokusimi ynë është te shorti i ardhshëm”.
Një moment që tërhoqi vëmendje ishte biseda pas ndeshjes midis Alonso dhe Joshua Kimmich. Trajneri spanjoll, që dikur ka qenë shok skuadre me Kimmich te Bayern Munich, komentoi: “Dikur ishim shokë skuadre. E vlerësoj shumë Josh dhe mënyrën se si është zhvilluar gjatë viteve. I uroj vetëm më të mirën, jam i bindur që Bayerni do të ketë një sezon të madh”.
Megjithatë, kjo bisedë shkaktoi spekulime për një interes të mundshëm nga Leverkusen për 29-vjeçarin. Me kontratën e Kimmich që po i afrohet fundit dhe pa një rinovim ende, ai mund të bëhet mundësi tërheqëse si lojtar me parametër zero.







