Pato: Kur u ndava nga Barbara, presidenti Berlusconi donte të më përjashtonte prej festës së titullit

26 Nëntor 2024
8:53
Alfred Lleshi
back button

Në podcast-in brazilian “Benja Me Mucho”, i ftuar ishte Alexandre Pato, ish-sulmuesi i Milanit. “Il Papero” ndau një anekdotë interesante nga koha e tij te Milani, duke kujtuar momentin kur u nda nga Barbara Berlusconi, vajza e ish-presidentit të klubit, Silvio Berlusconi, dhe reagimin e këtij të fundit, i cili e trajtoi situatën me humorin karakteristik.

Për Berlusconin: “Milanin e shihte gjithmonë si një mundësi për t’u bërë edhe më i famshëm. Në fakt, ai ishte tashmë shumë i njohur në mbarë botën. Ai përdorte një klub me traditë të madhe, me të cilin të gjithë ishin të dashuruar, kështu që… Çfarë loje e pabesueshme (qesh). Sa herë që afrohej fushata zgjedhore, ai blinte dy kampionë (qesh). Berlusconi investoi shumë te Milani dhe, në të njëjtën kohë, vendosi në klub një gjeni, që ende sot është i tillë, Adriano Galliani. Ai ishte krahu i tij i djathtë”.

Kur u ndave me vajzën e tij, a pate frikë nga Berlusconi? Kjo ishte pyetja “me spec” për të, së cilës braziliani iu përgjigj kështu: “Jo, aspak. Këto janë pyetje të vështira (qesh). Berlusconi ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm. E mbaj mend ende një rast kur na mblodhi të gjithëve në fushë dhe tha: Nëse fitoni kampionatin, do të organizoj një festë me femra për të gjithë. Për ty jo, për ty jo, Pato (qesh)”.

Gjatë periudhës së tij te Milani, Pato zhvilloi 150 ndeshje dhe shënoi 63 gola në 6 sezone. Me fanellën e kuqezinjve, ai fitoi një kampionat dhe një Superkupë të Italisë, të dyja në vitin 2011.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit