Përmes rrjeteve sociale, mbrojtësi zikaltër Benjamin Pavard analizoi barazimin 1-1 ndaj Napolit. Një ndeshje e ndërlikuar për Interin, që pas avantazhit u tërhoq në mbrojtje, duke qenë pranë fitores dhe +4 pikëve nga kreu në renditje, por në fund u ndëshkua nga goli i barazimit i Philip Billing. “Nuk ishte rezultati që shpresonim, – shkroi mbrojtësi francez, – por është e rëndësishme të mos humbasim. Vazhdojmë të punojmë”.
Trajneri Simone Inzaghi, pas ndeshjes, përgëzoi ekipin për paraqitjen në “Maradona”, pavarësisht vuajtjes në pjesën e dytë: “Ishte një ndeshje intensive mes dy skuadrave të shkëlqyera. Ne bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, pastaj lodhja u ndje, Napoli u fut më fort në lojë. U mbrojtëm mirë, përveç rastit të golit, ku duhej të kishim bërë më mirë. Duhet të kujtojmë që kishim përballë një skuadër të madhe. Na mbeten edhe 11 ndeshje dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”.
Interi tregoi karakter në momentet e vështira: “Nuk kam asgjë për t’u thënë djemve, ata kanë një zemër të jashtëzakonshme. I përgëzova për përkushtimin. Çalhanoglu dhe Dimarco kërkuan zëvendësim në pushim, por i mbajta në fushë në fillim të pjesës së dytë sepse e mbyllëm mirë fraksionin e parë. Pastaj më duhej t’i zëvendësoja. Nuk kishim alternativa për krahët, ndaj u detyrova të përshtasja Dumfries në të majtë dhe Pavard në të djathtë, megjithëse ai nuk luan më si ‘5’. Sidoqoftë, konstatova gatishmëri të madhe nga të gjithë”.







