Peceta-kontratë e parë e Messit me Barcelonën del në ankand, çmimi fillestar është… 350.000 euro

9 Maj 2024
9:51
Alfred Lleshi
back button

Peceta mbi të cilën është nënshkruar kontrata e parë e Leo Messit me Barcelonën doli në ankand këtë të mërkurë, në Londër, me çmim fillestar prej 300.000 paund (348.000 euro). Peceta, e cila daton në dhjetor të vitit 2000, kur Messi ishte vetëm 13 vjeç, përfaqëson angazhimin e një kontrate me Barcelonën dhe është nënshkruar me stilolaps blu nga Carles Rexach, në atë kohë drejtor sportiv i klubit Blaugrana.

Kjo pjesë, në posedim të agjentit argjentinas Horacio Gaggioli, do të ofrohet në një ankand online nga shtëpia “Bonhams”, e cila e ka ekspozuar muajt e fundit në Paris, Nju Jork dhe Londër. Ankandi do të zgjasë nga 8 maji në orën 12:00 me kohën e Mbretërisë së Bashkuar deri më 17 maj.

Kontrata me Barcelonën në vitin 2000 ndryshoi fatin e klubit katalanas dhe gjithashtu të vetë Messit, i cili është bërë një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, me tituj të shumtë me Barcelonën dhe kombëtaren e Argjentinës, si dhe 8 çmime “Topi të Artë”.

“Në Barcelonë, më 14 dhjetor 2000 dhe në prani të zotërinjve Minguella dhe Horacio, Carles Rexach, sekretari teknik i FC Barcelona, ​​merr përsipër nën përgjegjësinë e tij dhe pavarësisht disa mendimeve të kundërta të nënshkruajë me lojtarin Lionel Messi për aq kohë sa qëndrojmë brenda detajeve të dakorduara”, – shkruhet në pecetën-kontratë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit