Për Milanin vlen vetëm fitorja, Fonseca zbulon formacionin anti-Brugge. Startojnë Theo dhe Leao

22 Tetor 2024
8:48
Alfred Lleshi
back button

“Maignan; Emerson, Gabbia, Tomori, Theo; Fofana, Reijnders, Loftus-Cheek; Pulisic, Leao, Morata”. Formacioni i shpallur, siç ndodh shumë rrallë në prag të ndeshjeve të Champions League. Pra, Paulo Fonseca, trajneri i Milanit, nuk fshihet dhe zbulon lëvizjet e tij.

Kundërshtari i kuqezinjve është Club Brugge, ndeshja ndaj belgëve nuk pranon asnjë gabim. Pas dy humbjeve të para ndaj Liverpool-it dhe Bayer Leverkusen, nevojiten absolutisht tri pikë për të nisur ngjitjen në klasifikim.

Trajneri portugez foli pikërisht për këtë, duke thënë: “Fitorja është ajo që duam. Liverpool-i dhe Bayer Leverkusen janë ndër më të fortët në Europë, por për mua ishin dy ndeshje të ndryshme. Kundër Liverpool-it kishim vështirësi, ndaj Leverkusenit bëmë një lojë të shkëlqyer në pjesën e dytë dhe treguam shenja rritjeje. Edhe pse ndeshja kundër Brugge është po ashtu e vështirë, duhet të fitojmë patjetër. Përndryshe nuk mund të vazhdojmë në Ligën e Kampionëve”.

Pas “përjashtimit” të Leaos ndaj Udinese, për shkak të një zgjedhjeje teknike, dhe Theo Hernandez, për shkak të skualifikimit, trajneri portugez e di se nga këta dy lojtarë do të varet shumë sonte në “San Siro”: “Të dy do të luajnë nga minuta e parë. Ajo që pres nga të gjithë është të bëjnë më të mirën, që Milani të fitojë”.

Në fund, fjalë për kthesën e mundshme, siç ishte derbi i fituar ndaj Interit: “Jo, është ndryshe. Gara është ndryshe, ashtu si edhe karakteristikat e kundërshtarëve”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit