Pérez i zbulon të gjitha; e ardhmja e Ramos, blerja e Mbappé ose Haaland, kthimi i CR7, fati i Zidane…

20 Prill 2021
9:44
Alfred Lleshi
back button

Florentino Pérez e përqendroi intervistën e tij në “El Chiringuito” te projekti i Superligës Europiane, që ka tronditur botën e futbollit. Sidoqoftë, gjithashtu i kushtoi disa minuta të ardhmes së Real Madridit, me emrat që tingëllojnë çdo ditë në tryezë. Nënshkrimet e Haaland dhe / ose Mbappé, kthimi i Cristiano Ronaldos dhe rinovimi i Sergio Ramos.

Mbi portugezin e Juventusit, ai ishte më i qartë se me këdo tjetër. Situata e CR7 në Torino nuk është e mirë, ndaj flitet për largimin e tij nga skuadra italiane, por Florentino Pérez, me dashuri, ia mbylli derën e ekipit të bardhë: “Cristiano nuk do të kthehet në Madrid, nuk ka më kuptim. Unë e dua shumë dhe ai na ka dhënë po kaq shumë, por nuk ka më kuptim”.

Mbi rinovimin e kapitenit të ekipit, Florentino nuk ishte aq i prerë, megjithëse tregoi se situata është akoma pezull dhe nuk ka asnjë zgjidhje për momentin, megjithëse i mbeten vetëm dy muaj e dhjetë ditë, që të dalë lojtar i lirë: “Ne jemi në një situatë shumë të keqe dhe askush nuk flet për paratë që mungojnë në futboll. Duhet të jemi realistë, të gjitha klubet jemi shumë keq. Unë nuk kam thënë që nuk do të vazhdoj të negocioj me Ramos. Tani për tani po shohim se si ta rregullojmë mbylljen e këtij sezoni dhe pastaj do të shohim për tjetrin që vjen”.

I pyetur nëse Sergio Ramos e ka ulur pagën e tij, siç kanë bërë kolegët e tjerë, Florentino e bëri të qartë indirekt. “Vitin e kaluar e uli pagën. A mund të largohet tani?” Presidenti i bardhë e pranoi se nuk ka folur me Mbappé për vite me radhë dhe zbuloi se çfarë po i ndodh rrugës: “Tifozët gjithmonë më kërkojnë të blej Mbappe. Përgjigja ime? Iu them mos u shqetësoni…, në të vërtetë është një lojtar i mirë, por… Unë kurrë nuk kam biseduar me Mbappe. Të paktën deri tani. Nuk e di se çfarë do të ndodhë me kontratën e tij me PSG”.

Në lidhje me Haaland, i cili gjithashtu ka qenë i lidhur me Barcelonën, Manchester City, Manchester United, PSG, Chelsea, Liverpool dhe Juventus, Perez shtoi: “Babai i Haaland ka vizituar stërvitjen tonë në Valdebebas, po. Të gjithë kanë pasur gjithmonë të njëjtin reagim: kurrë nuk kemi parë një fenomen si ai. Haaland dhe Mbappe janë dy lojtarë të shkëlqyeshëm, por ajo që Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë bërë është e pabesueshme”.

Ai shmangu pyetjet nëse klubi do të bënte të paktën një nënshkrim galaktik, por e bëri të qartë mesazhin: “Real Madridi herë pas here ka nevojë për ndryshim, ne kemi fituar shumë, gjërat kanë ndodhur, ndaj duhet ta rikuperojmë iluzionin. Unë bëj gjithçka që është e mundur në mënyrë që Real Madridi të mos humbasë vendin e tij të duhur”. Disa fjalë për Vinícius: “Ai nuk është për shitje, jo. Nuk është për shitje. Nuk preket”.

Një pozicion tjetër, në të cilin spekulohet është stoli. E ardhmja e Zinedine Zidane nuk është e qartë dhe Florentino nuk e humbi rastin për ta lavdëruar atë: “Zidane është trajneri më i mirë që kemi pasur ndonjëherë, një legjendë. Ai ka një personalitet të madh. Zidane nuk thotë asgjë, është i lumtur te Real Madridi. Gjithmonë do t’i jemi mirënjohës Mourinhos për genin garues që solli në skuadrën tonë. Ai ka qenë me ne për tri vite dhe e rriti aftësinë për konkurrencë. Gjithmonë do ta vlerësojmë atë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit