Përmbysja ndaj Shtutgartit, flet Ancelotti: Nuk mbaj mend një ndeshje të lehtë, duhet të vuash gjithmonë

18 Shtator 2024
8:14
Alfred Lleshi
back button

Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit, vetëm mund t’i gëzohet fitores 3-1, të arritur nga “Los Blancos” në debutimin e tyre, në formatin e ri të Champions League, kundër Stuttgartit. Ndeshja e parë dhe fitorja e parë, si dhe sinjale të shkëlqyera nga Mbappe, i cili po ashtu debutonte në këtë kompeticion me fanellën merengues, autor golash në shoqërinë e Rudiger dhe fëmijës së mrekullueshëm Endrick, që shënoi në fund. Më poshtë deklaratat pas ndeshjes të trajnerit italian.

Cilat janë përshtypjet tuaja nga ndeshja?
Të mira. Kemi pasur disa momente të vështira, por kjo është normale. Nuk mbaj mend një ndeshje të lehtë. Duhet të vuash gjithmonë, sidomos në fillim. Kur nuk je në maksimum, gjërat janë pak më të vështira. Pas golit të dytë, ndeshja mund të kishte përfunduar, por ne kishim forcën për të shënuar sërish.

Gjermanët ua vështirësuan gjërat…
Shtutgarti e menaxhon topin shumë mirë. Ne humbëm shumë duele një kundër një, vuajtëm shumë në pjesën e parë. Mund të kishim shënuar më shumë, por në fund gjithçka shkoi mirë.

Kundërshtari arriti të shfrytëzonte hapësirat që latë ju pas…
Kur ka presion të lartë, ju duhet ta merrni topin pas vijës së mbrojtjes.

 Courtois tha që, nëse Endrick do të kishte gabuar te rasti i golit, do ta vriste…
Ishte një kundërsulm dhe ai kishte guximin të gjuante. Shënoi dhe shpëtoi nga të gjitha (qesh).

Rekordi i Endrick, futbollisti më i ri që shënon në Champions League
Braziliani ka thyer mbrëmë rekordin e Raul në këtë drejtim. Në moshën 18 vjeç e 58 ditë, sulmuesi në fjalë u bë lojtari më i ri që shënon për Real Madridin në Ligën e Kampionëve. Nënvizojmë faktin se këtë rekord e mbante Raul Gonzalez Blanco. Legjenda e “Los Blancos” shënoi një “hat-trick” kundër Ferencvaros në vitin 1995, në moshën 18 vjeç e 113 ditë. Opta e raporton këtë.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit