Start i shkëlqyer për kuqezinjtë tanë në Ligën e Kombeve, në “Epet Arena” të Pragës. Përmbysje e Ukrainës, e cila shënoi e para. Pa Armando Brojën, pa Mirlind Dakun në sulm. Pa kapitenin Berat Gjimshiti në mbrojtje. Fitorja jonë e parë ndaj këtij kundërshtari, në historikun e përballjeve mes dy kombëtareve, si ogur i mirë për të surprizuar edhe në këtë edicion të kompeticionit në fjalë, sikurse bëmë në fushatën kualifikuese të “Euro 2024”, kur e mbyllëm të parët në grup.
Golat e Ismajlit dhe Asanit na sjellin tri pikët e para në Ligën B, grupi 1, ku para nesh luajti edhe Gjeorgjia me Republikën Çeke, e cila fitoi pastër 4-1. Kësisoji, sfida e radhës në “Arena Kombëtare”, pas tri ditësh, do të jetë mjaft decizive për kuqezinjtë tanë.
Pjesa e parë nisi me Ukrainën më kërkuese, e cila ngulmoi me pasime të shumta në gjysmëfushën tonë, por pa depërtuar dot rrezikshëm në zonën e 16-metërshit të kuqezinjve. Prapavija, sidomos në qendër me Kumbullën dhe Ismajlin, u tregua e saktë në ndërhyrje, edhe në lojën ajrore, ku ukrainasit tentuan të “çanin” bllokadën me topa të lartë, pas shpine.
Pas 20 minutash lojë, Shqipëria e rriti ritmin dhe barazpeshoi ndeshjen në tërësinë e veprimeve. Madje, arriti edhe t’i imponohej kundërshtarit, me Manajn si “pykë” e vetme, i cili krijonte rrezik permanent te prapavija verdheblu. Qendërsulmuesi ynë startues në këtë ndeshje, e vlefshme për Ligën e Kombeve, madje tërhiqej edhe përtej mesfushës, deri në gjysmëfushën tonë, duke kryer volum të madh loje.
Vërtet shembull i sakrificës për të vrapuar pa fund mbas topit. Goditja me thembër e Laçit, pas krosimit nga këndi i djathtë, përfundoi ngjitur me shtyllën pingule të portës ukrainase. Për pak centimetra, po të kishte përfunduar në rrjetë, me siguri do të ishte eurogol dhe do të bënte xhiron e botës. Kujtojmë se më herët, po Laçi kishte shpërdoruar një rast optimal, i gjendur në zonën e vogël të portës kundërshtare.
Goditja e tij ishte e pasaktë. Afër fundit të pjesës së parë u kundërpërgjigj edhe Ukraina, me një kundërsulm të shpejtë, që e gjeti mbrotjen tonë të pavendosur mirë. Ndërhyrja e Strakoshës ishte vigjilente, edhe pse topi u duk se po shkonte në pjesën e jashtme të shtyllës pingule.
Pjesa e dytë është krejt tjetër, me të dyja skuadrat që shikojnë më shumë drejt portës kundërshtare. Ishte Ukraina, e para që zhbllokoi shifrat e bardha. Pikërisht në minutën e 49-të, Konoplia goditi tokazi, nga rreth 20 metra, duke e gjetur Strakoshën të papërgatitur. Ndërhyrja e tij nuk e devijoi dot plotësisht topin, që përfundoi në rrjetë.
Reagim sopektakolar nga tanët, që nuk dekurajohen. Është Ismajli, që krosimin nga këndorja e kthen në golin e barazimit, në minutën e 54-t. Loja bëhet edhe më e hapur, në kërkim të golit të fitores. Ukrainasit dalin shpejt në kundërsulm, por prapavija kuqezi dhe Strakosha tregohen në lartësinë e detyrës.
Aksioni nga e majta e tanëve është për manual, në minutën e 66-të, kur pasimi i Manajt, ndoshta më i miri në fushë, gjen Asanin, që ekzekuton një “penallti në ecje”, duke dyfishuar shifrat. Delir kuqezi, përmbysje e pabesueshme, plot shpirt gare, grintë, dëshirë maksimale për të dhënë gjithçka.
Sylvinho hodhi në fushë Hoxhën për Bajramin e lodhur, si dhe Berishën për Laçin, i cili kishte shpenzuar shumë. Trajneri ukrainas bëri 5 zëvendësimet e lejuara, por nuk ia doli ta rikthente barazpeshën, minimalisht.