Pësoi 3 gola për 15 minuta, Guardiola ndez alarmin: Diçka po ndodh, jemi në telashe serioze

27 Nëntor 2024
8:30
Alfred Lleshi
back button

Një tjetër natë e zezë për Pep Guardiolën dhe Manchester City, këtë sezon. “Qytetarët” pësuan disfatën (mungesën e fitores) e gjashtë radhazi ndaj Feyenoord-it, me një barazim që kishte shijen e humbjes në “Etihad Stadium”. Vendasit shpërdoruan avantazhin prej tre golash dhe u detyruan të kënaqeshin me vetëm një pikë.

Tre gola të pësuar brenda pak më shumë se 15 minutash i lanë të shtangur anglezët, që vazhdojnë të tregojnë dobësi në fushë. Pep përfundoi i dëshpëruar në vijën anësore, duke shfaqur qartë zemërimin me lojtarët e tij dhe duke kaluar duart vazhdimisht në kokë. Fytyra e tij, e mbushur me zhgënjim, u bë virale në rrjetet sociale.

Trajneri katalanas kritikoi veten pas ndeshjes së Champions League: “Duhet ta zgjidh këtë situatë kritike, kjo është detyra ime. Luajtëm mirë, por nuk arritëm të kontrollonim minutat e fundit”. Trajneri katalanas ende nuk e ka gjetur zgjidhjen për këtë formë të dobët të ekipit të tij. Kujtojmë që City vinte në këtë ndeshje pas pesë humbjesh radhazi në të gjitha garat. Tani janë gjashtë ndeshje radhazi pa fitore.

“Ndeshja ishte në kontroll me rezultatin 3-0, po luanim mirë, pastaj pësuam shumë gola, sepse aktualisht nuk jemi të qëndrueshëm. Dhuruam golin e parë dhe pastaj të tjerët, prandaj bëhet e vështirë, – tha Pep për “Amazon Prime”. – Kemi humbur shumë ndeshje së fundi, jemi të brishtë. Na nevojitet një fitore. Kjo ndeshje ishte e rëndësishme për besimin tonë, po luanim në nivel të lartë, por diçka po ndodh dhe jemi në telashe. Nuk e di nëse është problem mendor. Goli i parë nuk duhej të pësohej, as i dyti. Pas kësaj, nuk e dimë çfarë po ndodh. Jemi të dëshpëruar për të fituar, për të bërë mirë, por nuk po ia dalim.

Ka shumë gjëra që i bëjmë mirë, por me rezultatin 3-3 nuk mund të themi më shumë. Në këtë nivel nuk mund të dhurosh kaq shumë. Në një situatë tjetër kjo nuk do të ndodhte, por tani po ndodh”.

Tani Manchester City do të vizitojë “Anfield” të dielën me një hendek prej 8 pikësh në Premier League dhe një seri prej pesë humbjesh e një barazimi.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit