Phil Jones: Ja pse kam në shtëpi një kopje të trofeut të Premier League…

10 Tetor 2021
14:51
Denis Hakanaj
back button

Një karrierë në nivele të larta me disa trofe të fituar te Manchester United.

Mbrojtësi Phil Jones është rrëfyer për kanalet zyrtare të Djajve të Kuq dhe ka shpjeguar se mund t’i kishte shijuar më shumë momentet e suksesit që ka patur në një moshë të re.

Tani, në moshën 29 vjeç, mbrojtësi nuk luan me vazhdimësi nga janari i 2020-ës për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju që e ka mbajtur për një kohë të gjatë larg fushave.

“Jam transferuar tek United dhe kam fituar shumë trofe. Mes këtyre është edhe një Premier League. Kur kthej kokën mbrapa, mendoj se mund ta kisha shijuar më shumë”, ka thënë Phil Jones në lidhje me fitoren e kampionatit në 2013-ën nën drejtimin e Sir Alex Ferguson.

“Isha i ri dhe e kam harruar shpejt këtë fitore. E kuptoj se shumë futbollistë të tjerë e kanë fituar Premier League në karrierë, por po aq shumë nuk do ta fitojnë kurrë. Kështu që një arritje e tillë është shumë e bukur”.

Jones ka kujtuar edhe ndeshjen vendimtare:

“Kemi luajtur në shtëpi kundër Aston Villa-s. Prisnim me padurim të zbrisnim në fushë. Kam mornica kur kujtoj topin që Rooney i pasoi Van Persie-t dhe ai e ka goditur fluturimthi duke shënuar. Old Trafford ka shpërthyer. Kam marrë një kopje të trofeut në shtëpi për ta kujtuar. Dua që fëmijët e mi ta dinë që kam fituar Premier League”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit