I intervistuar nga “Corriere dello Sport”, Gerard Pique foli për eksperiencën e tij te Barcelona: “Është një klub ndryshe. Shumë i ndryshëm nga të gjitha klubet e tjera në botë, jo vetëm sepse pronësia është e ndarë mes 140 mijë anëtarëve.
Milan, Inter, Juve, United, Chelsea, City, PSG apo Bayern iu përkasin vetëm virtualisht tifozëve. Barça është amaneti i të gjithëve, ndaj duam ta ruajmë këtë veçanti, edhe pse nuk po ecim mirë në këtë periudhë financiarisht. Sidoqoftë, gjithkush po përpiqet të përcjellë ndjenjën e duhur të përkatësisë.
Lojtari që më befasoi më shumë? Messi ka qenë gjithmonë ndryshe nga të tjerët. Cristiano Ronaldo është më i miri mes njerëzve si futbollist, ndërsa Leo një alien, nuk i përket këtij planeti. E pashë të stërvitej çdo ditë, duke bërë gjëra të pabesueshme.
Nuk do të jetë më kurrë dikush me shpejtësinë e tij të të menduarit dhe të njëjtën vendosmëri. Ai mbërriti në moshën 13-vjeçare në Barcelonë, luajti absolutisht në të njëjtën mënyrë si me ekipin e të rinjve, ashtu edhe me ekipin e parë”.
Ish-mbrojtësi i skuadrës Blaugrana tregoi më pas një sfond shumë interesant mbi tregun e transferimeve, që ka të bëjë edhe me futbollin italian: “Vitin e fundit në Manchester, para se të shkoja te Barça, isha gati të transferohesha te Juventusi. Ishte viti 2007”.