Ish-ylli francez Robert Pires ka ndarë mendimet e tij për konfliktin e dyshuar mes Kylian Mbappé dhe Didier Deschamps. Së fundi u bë e ditur se sulmuesi i Real Madridit nuk do të marrë pjesë në ndeshjet e radhës të Francës në Ligën e Kombeve, kundër Izraelit dhe Italisë. Sipas ish-lojtarit të Arsenalit, këto janë vetëm thashetheme të pabaza.
“Nuk ka asnjë konflikt midis Mbappe dhe Deschamps. Kylian thjesht nuk po tregon nivelin e tij të zakonshëm të performancës për momentin, për pasojë Deschamps i tha atij me telefon se nuk do të thirrej në ekipin kombëtar. Mbappé është një lojtar shumë i rëndësishëm për Francën dhe, për mendimin tim, t’i japësh atij një pushim tani nuk është problem apo krizë”.
Dayot Upamecano, mbrojtësi i Bayern Munich dhe Francës, foli gjithashtu në konferencën për shtyp, nga grumbullimi i “Le Bleus”, për Kylian Mbappe, i munguar për shkak të zgjedhjeve teknike: “Nuk kam asnjë shqetësim. Nuk duhet të harrojmë se çfarë bëri ai për këtë kombëtare.
Fatkeqësisht shoh se ka pak mirënjohje ndaj tij, shpresoj ta shohim sërish, nuk duhet të harrojmë që ai është kapiteni ynë. Që në fillim të sezonit ka luajtur shumë ndeshje, ka ngarkesa psikologjike në klubin e ri, ndaj pushime të tilla do ta ndihmojnë”.