E përditshmja franceze “L’Equipe” ka zbuluar një prapaskenë disi të çuditshme që ka ndodhur pas ndeshjes Francë-Poloni të Euro 2024, mbyllur në barazim 1-1. Barazimi dhe zbritja në vendin e dytë në grup duket se ka çoroditur skuadrën, aq sa të “harrojnë” një lojtar në stadium.
Bëhet fjalë për mbrojtësin William Saliba, i cili pas ndeshjes ndodhej në dhomën antidoping. Ai u përzgjodh për të kryee testet rutinë të përdorimit të substancave të ndaluara. Në orën 22:30, mbrojtësi francez kishte përfunduar testet antidoping, por duke parë përreth ai kuptoi se shokët e tij të skuadrës ishin larguar tashmë nga stadiumi.
Duket si një skenë nga filmi “Home Alone” (i vetëm në shtëpi), por kjo është ajo që ndodhi. Autobusi i kombëtares nuk e kishte pritur dhe ishte larguar në orën 22:00 për t’u kthyer në hotel. Për habinë e tij të madhe, ai u desh të kthehej i vetëm, për fat të mirë i shoqëruar nga disa anëtarë të stafit teknik që prisnin ta kthenin në grumbullim.