PSG arriti një fitore të vështirë 1-0 ndaj Girona në Champions League, madje në minutën e fundit me një autogol. Gjithsesi, tashmë parizienët mendojnë për kampionatin, ku nesër do të luajnë në fushën e Reims.
Trajneri Luis Enrique, duke komentuar situatën thotë: “Nuk mendoj se ka ndeshje të lehta. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe do të na duhet një version i mirë i PSG-së për të marrë tre pikët”.
“Kemi disa dëmtime dhe ato janë një pjesë e futbollit. Për fat të mirë nuk është asgjë serioze për Marco Asensio edhe pse lëndimet nuk janë kurrë pozitive. Ne jemi si një familje dhe kur një lojtar lëndohet, të gjithë vuajmë”, tha Enrique.
Duke folur për Ousmane Dembélé, ai shtoi: “Është lojtari i njëjtë me atë të sezonit të kaluar. Ndoshta ai është pak më i mirë në përfundimin e aksionit, por ai ka qenë gjithmonë një lojtar themelor për ne. Ai ka një aftësi unike për të kapërcyer kundërshtarët dhe ne do të sigurohemi që të vazhdojë kështu”.
Më tej, Luis Enrique foli për lojën e ekipit të tij: “Kundërpresingu është një karakteristikë e lojës sonë. Ne e punojmë pothuajse çdo ditë për të, lojë pozicionale, është e njëjta gjë në hapësira të vogla që përpiqemi të bëjmë në lojë. Të mos humbasim topin, të jemi në gjendje të presim si ekip kur humbasim”.
“Nëse do të më duhej të zgjidhja 3 fjalë për të përshkruar stilin e lojës së ekipit tim, do të thosha: Ambicioze, bujare dhe me cilësi të mëdha”.