Lautaro Martínez po kalon një moment të ëmbël. Sulmuesi argjentinas sapo është shpallur kampion i Italisë me Interin dhe në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” e ka bërë të qartë se niveli i tij është i krahasueshëm me atë të më të mirëve:
“Nëse ndihem në të njëjtin nivel me Mbappe, Haaland, Lewandowski dhe Kane? Disa prej tyre kanë fituar më pak se unë. Më duhet të vazhdoj të punoj me përgjegjësi, siç më ka mësuar babai, por mund të ulem në të njëjtën tryezë me të gjithë këta sulmues të mëdhenj”.
Në lidhje me Mehdi Taremin, nënshkrimin e ri të Interit, ai tha: “Ne u përballëm me të, kam parë shumë nga ndeshjet e tij. Taremi është një sulmues i madh, shumë teknik dhe me një mënyrë tjetër loje. Mendoj se mund të jetë një Arnautovic i ri për shkak të aftësive për ta mbajtur lart ekipin”.
Për presidentin e klubit, kinezin Zhang dhe situatën e pronësisë së Interit, e cila mund të ndryshojë duart, argjentinasi nënvizoi: “Ai ka qenë gjithmonë pranë nesh, megjithëse jo dot fizikisht këtë vit. Ndonjëherë mjaftonte një video-telefonatë për ta dëgjuar si të ishte këtu. Ai është një president i madh, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, sepse nuk varet nga ne si futbollistë”.