28 Mars 2024
15:01
Denis Hakanaj

“Po vepron gabim”, ylli i La Liga-s kundër Vinicius: Edhe mua më fyejnë, por…

back button

Mesfushori i Villarrealit, Dani Parejo ka dalë kundër yllit të Real Madridit, Vinicius Junior, mes debatit të vazhdueshëm në lidhje me racizmin në La Liga.

Vinicius u përlot javën e kaluar kur foli për racizmin dhe ndikimin kishte tek ai. Sulmuesi brazilian është vënë në shënjestër të tifozëve me fyerje të turpshme raciste gjatë kohës së tij në Spanjë.

Braziliani pranoi se abuzimi po ndikon në dëshirën e tij për të luajtur:

“Unë thjesht dua të luaj futboll, por është e vështirë të ec përpara; ndiej gjithnjë e më pak dëshirë të luaj”.

Megjithatë, Parejo vuri në dyshim sjelljen e Vinicius dhe mënyrën se si ai shpesh reagon ndaj tifozëve gjatë incidenteve të tilla. Spanjolli tha për Madrid Zone:

“Sjellja e Vinicius? Unë kam shkuar në stadiume ku më quanin të alkoolizuar dhe gjëra të tjera, por nuk shkoj të përballem me ata, as nuk bëj gjeste. Mendoj se është e panevojshme. Futbollisti duhet të jetë mbi këto gjëra. E ka gabim”.

Vinicius Junior është një nga sulmuesit më të mirë të La Ligas dhe rivalët shpesh mund të zemërohen duke luajtur kundër tij. Ai ka koleksionuar 18 gola dhe 8 asiste në 28 ndeshje në të gjitha kompeticionet këtë sezon.

Carlo Ancelotti doli në mbështetje të Vinicius dhe ishte i bindur se sulmuesi meritonte më shumë respekt:

“Kam shikuar pak prapa në histori dhe statistikat dhe nuk kam parë kurrë një lojtar kaq të persekutuar sa Vinicius. Ata i thonë dhe i bëjnë gjithçka, çfarë duhet të bëjë? Të gjithë duhet të ndryshojnë qëndrimin që kanë ndaj tij”.

La Liga raportoi 10 incidente racizmi në lidhje me Vinicius vitin e kaluar duke përfshirë skenat e neveritshme që ndodhën gjatë ndeshjes mes Valencias dhe Real Madridit. Një pjesë e tifozerisë bënë gjeste majmuni drejt lojtarit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit