Pogba-Juventus, si “tërheqje litari”. Ka pak gjasa për akord lamtumire, pritet betejë ligjore

18 Tetor 2024
9:10
Alfred Lleshi
back button

“Ai ishte një lojtar i madh”. “Unë jam pjesë e Juventusit dhe dua të qëndroj atje”. Këto dy fjali përmbledhin situatën që përfshin Paul Pogba dhe bardhezinjtë, pas uljes së skualifikimit për doping që iu bë francezit në 18 muaj.

Mesfushori nuk dëshiron të dëgjojë për ndarje konsensuale para muajit mars, kur do të mund të rikthehet në fushë, ndërsa drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” e bënë të qartë se e ardhmja e tij do të jetë larg ngjyrave bardhezi. Tani, megjithatë, duhet të kuptojmë se cila palë do të dalë fitimtare në këtë “tërheqje litari”.

Thiago Motta dhe Giuntoli (por edhe CEO Scanavino) nuk duken të interesuar për ta rikthyer mesfushorin në skuadër, pjesërisht për shkak të pagës së tij të madhe prej 10 milionë eurosh në sezon, përfshirë bonuset), por edhe për shkak të një projekti teknik që nuk e ka marrë kurrë në konsideratë.

Në fakt, menaxhmenti kishte të drejtë që priste vendimin e CAS-it përpara se ta “heqte qafe” Pogba, duke shmangur betejat ligjore, por tani ekziston rreziku i “shpalljes luftë”. Të dyja palët filluan të flasin për këtë, fillimisht në distancë, tani edhe më nga afër.

Juventusi dëshiron të arrijë një marrëveshje për “divorcin”, Pogba thotë se është gati të shkurtojë edhe pagën e tij në mënyrë që të mbrojë ato ngjyra, që e lançuan në futbollin e madh si djalë i ri. Megjithatë, nëse nuk arrihet një marrëveshje, “Zonja e Vjetër” është e gatshme ta zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën, e cila skadon në vitin 2026, duke u fokusuar te skualifikimi i francezit për doping.

Në një rast apo në një tjetër, janari do të jetë muaji vendimtar, për t’i lejuar lojtarit të gjejë një ekip tjetër, ndoshta në MLS, se kur mund të kthehet në fushë në mars.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit