I dëmtuar rëndë në gju në dhjetor 2023, David Alaba ka shkaktuar shumë shqetësime në Madrid kohët e fundit. Austriaku po merr më shumë kohë se sa pritej për t’u rikuperuar nga këputja e ligamentit krucial. Normalisht, lojtarëve iu duhen 6 deri në 9 muaj për t’u rikuperuar nga ky lloj dëmtimi, por Alaba tani po i afrohet një viti të plotë larg fushave.
Sipas asaj që raportohet nga “AS”, megjithatë, rikthimi i tij është planifikuar për në janar 2025. Ky rikthim do të jetë thelbësor për Carlo Ancelottin, i cili duhet të përballet me një sërë dëmtimesh që kanë shkatërruar skuadrën e tij, veçanërisht në vijën e mbrojtjes. Prania e Alaba do të përfaqësonte një frymë të freskët për trajnerin, i cili do të mund të llogarisë përforcim të përvojës në pjesën e dytë të sezonit.
Rikthimi i Alaba mund të qetësojë edhe thashethemet për transferime, që kanë qarkulluar gjatë kësaj periudhe. Drejtuesit e Real Madridit, në fakt, do të ishin më të prirur të mos ndërhynin në merkaton e janarit për të kërkuar një mbrojtës, duke besuar në rikuperimin e plotë të ish-lojtarit të Bayern Munich për të përballuar sfidat vendimtare të muajve të ardhshëm.