Prezantohet Fonseca: Te Milani vlen vetëm fitorja, po pres qendërsulmuesin e duhur. Ibra saktëson: E kemi një në mendje…

8 Korrik 2024
11:34
Alfred Lleshi
back button

Aventura e Paolo Fonseca si trajner i Milanit filloi zyrtarisht të shtunën, me mbërritjen e tij në Malpesa. Megjithatë, sot ishte dita e prezantimit zyrtar me konferencën për shtyp në ‘Casa Milan’. Portugezi mbërriti i shoqëruar nga Zlatan Ibrahimovic në sallën e konferencave të klubit kuqezi. Në rreshtin e parë e mirëprisnin, përveç bashkëpunëtorëve të stafit, Pinto dhe Abreu, Giorgio Furlani, CEO kuqezi, Geoffrey Moncada, drejtori teknik, Paolo Scaroni, president, si dhe legjendat Daniele Massaro e Franco Baresi.

Ai u prezantua nga Zlatan Ibrahimovic, këshilltar i lartë i “RedBird”: “Mirë se erdhe në ‘Casa Milan’, mirë se erdhe Paulo Fonseca. Sot është dita e parë e stërvitjes. Ne flasim për të tashmen, disa ditë më parë folëm për të ardhmen. Jemi shumë të lumtur të prezantojmë Paulo Fonseca. Kjo është një nga lëvizjet e strategjisë sonë, e ideve që kemi. Jemi shumë të uritur për ta filluar këtë aventurë të re”.

Pastaj, Paulo Fonseca mori fjalën: “Duhet të falënderoj mënyrën se si jam pritur këtu, ditët e fundit. Më pas duhet të falënderoj klubin për besimin e treguar ndaj meje. Jam shumë i emocionuar, i motivuar për të bërë punën time. E di që po vij në një klub ku vlen vetëm fitorja. Isha në muzeun e klubit, pashë nga afër historinë e Milanit. Kam ambicien e madhe të jem pjesë e kësaj historie. Jam gati dhe mezi pres të filloj punën”.

Pastaj filluan pyetjet e gazetarëve.

Çfarë do të thotë kjo eksperiencë e re për ju?
E di mirë se trajneri që vjen këtu ka detyrën për të fituar. Unë kam parë Baresi shumë herë dhe lojtarë të tjerë që kanë bërë historinë e Milanit. Jam i vetëdijshëm se është një përgjegjësi e madhe për mua, por edhe krenari e madhe njehërazi. Milani është një klub universal, e di përgjegjësinë që kam në duart e mia, por gjithashtu e di që jam këtu me shumë besim për ta vazhduar këtë histori.

Si ju duket grupi i lojtarëve që do të keni në dispozicion?
Unë besoj vërtet në skuadrën që kemi. Nuk është asgjë e re të them se kemi nevojë për lojtarë, jo shumë. Kemi cilësi në grupin ekzistues, por është e vërtetë që duhen plotësuar rolet për ta përmirësuar ekipin.

Trajneri i fundit i huaj që fitoi në Itali ishte Mourinho…
Unë dua të jem i radhës. Jam ndryshe nga Mourinho, si trajner i Milanit kam ambicie të mëdha. E di përgjegjësinë e të qenit trajner i Milanit dhe dua të fitoj.

Çfarë loje ke në mendje?
Milani ka luajtur futboll sulmues në historinë e tij, për të fituar duhet të jemi ekip dominues. Unë dua të ndërtoj një ekip të guximshëm, dominues, sulmues, reagues, që nuk i lë kundërshtarët të mendojnë dhe të luajnë. Për mua është e rëndësishme që tifozët të jenë krenarë me ne, për identitetin tonë të fortë. Kjo është një pikë e rëndësishme për mua.

Çfarë karakteristikash duhet të ketë numri 9 kuqezi?
Ne kemi nevojë për një sulmues. Po përpiqemi të sjellim sulmuesin e duhur, me karakteristikat e duhura. Nëse duam të luajmë në 30 metrat e fundit, kemi nevojë për një sulmues të fortë. E dimë se çfarë duam, e presim së shpejti.

A mund të fitohet dueli me Interin?
Ajo që mund të premtoj është të luftojmë në çdo ndeshje për të fituar, edhe me Interin nuk do të jetë ndryshe. Interi është një nga skuadrat më të forta, por ne duhet të luajmë me guxim, pa frikë nga asgjë, me dëshirën për të fituar.

Çfarë prisni nga Leao?
Ai është i rëndësishëm për Milanin, një lojtar vendimtar. Pres që ai të jetë i motivuar, i gatshëm për të luajtur për ekipin. Ai është i ri, mund të mësojë çdo ditë. Si trajner dua të punoj çdo ditë për ta bërë atë të përmirësohet.

Është data 8 korrik dhe nuk ka ardhur ende asnjë blerje…
Ibrahimovic përgjigjet: Ne po studiojmë, po flasim, por nuk po nxitojmë. Tregu është i gjatë. Mund të garantoj që nënshkrimet do të arrijnë. Ne po flasim, po diskutojmë, por asgjë nuk është mbyllur. Zirkzee ka ikur si mundësi. Kemi dikë tjetër në mendje, por nuk po e them emrin.

Fonseca flet gjithashtu: Nxitimi është armiku i perfeksionit. Ne e dimë se çfarë duam, në kohën e duhur do t’i kemi lojtarët e kërkuar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit