Francesco Toldo di diçka për këtë. Edhe sot ai u tregon të gjithëve për atë ndeshje të famshme, në të cilën holandezët nuk mundën ta ndëshkonin nga pika e bardhë në asnjë mënyrë, në gjysmëfinalen e “Euro 2000” në Francë.
Diogo Costa e përsëriti ish-portierin italian, së pari me një mrekulli me kohën shtesë, duke ndaluar Benjamin Sesko, më pas me pritjen e 3 penalltive (mbas 120 minutash lojë). Portieri portugez spikati në 1/8 finale të Kampionatit Europian, ndaj klube të njohura e kanë vënë në “shënjestër”.
Diamantino Figuereido, i cili ishte trajneri i tij për 7 vite te Porto, foli në mikrofonat e “A Bola”. Ai komentoi thashethemet e transferimeve, që pashmangshmërisht vërtiten rreth figurës së tij.
Diogo tha se përdori instinktin për të pritur tri penalltitë ndaj Sllovenisë. Çfarë mendoni ju?
Është e qartë se ishte instinkt. Kemi analizuar penalltitë, si ish-portier kam përjetuar situata të ngjashme dhe e kuptoj që ishte kështu. Në fund është portieri, ai që vendos. Kushdo që ekzekuton penalltitë mund të tentojë të godasë topin katër herë në të djathtë, një herë në qendër, një herë në të majtë. Portieri tenton të kuptojë krahun.
A mund ta imagjinoni një klub që të paguajë klauzolën prej 75 milionë euro për ta pasur atë?
Nëse do të isha një nga klubet më të mëdha në botë dhe do të kisha nevojë për një portier titullar, nuk do të kisha asnjë problem për të paguar 60 ose 75 milionë euro për të. Ai është 24 vjeç, garanton të ardhmen tuaj për 10 vite. Luan mjaft mirë me këmbë, njësoj si Neuer. Është si një numër 10 në fushë. E tillë është cilësia e pasimeve të tij, ta jep topin aty ku e do, me shumë lehtësi.