Pronari i PSG-së do të blejë klubin italian: oferta nga Katari për të shmangur falimentimin

25 Maj 2023
20:23
Denis Hakanaj
back button

Pas zhgënjimit për rënien në Serinë B, te Sampdoria po punojnë për të shmangur falimentimin që do të fundoste skuadrën.

Andrea Raddrizzani, ish-pronar i Leeds, është paraqitur ditët e fundit në qendrën sportive të klubit. Megjithatë, nga Franca kanë mbërritur zëra të rëndësishëm për interesimin e fondit të Katarit QSI, pronar i Paris Saint-Germain.

Këtë e ka bërë të ditur tabloidi francez L’Equipe i cili nënvizon se si Qatar Sports Investments është në negociata të avancuara me pronarin e klubit nga kryeqyteti ligur Massimo Ferrero.

Fondi me bazë në Doha është gjithashtu i njohur për investimet e tij në botën e sportit, në përputhje me pasionet e presidentit Nasser Al-Khelaifi.

Nuk është rastësi që QSI, përveç se ka blerë PSG-në, duke e bërë atë një nga klubet më të pasura dhe më të fuqishme në botë, ka investuar edhe në klube të tjerë, si për shembull Braga.

Është një degë e Autoritetit të Investimeve të Katarit (QIA), fondit shtetëror të pasurisë sovrane të Katarit, dhe ka lidhje të pazgjidhshme me ministrinë e financave të Katarit dhe Komitetin Olimpik të Katarit.

Me pak fjalë, Sampdoria mund të bëhet kështu klubi i tretë në galaktikën QSI, duke qenë se bisedimet kanë avancuar për blerjen e një pakete aksionesh minoritare.

Në fakt, katariotët nuk do të ishin të vetmit, por do t’i bashkoheshin ASER Ventures, pronar i Leeds United, me Andrea Radrizzani që do të merrte shumicën e aksioneve.

Kjo situatë mund të jetë preludi i një skenari tjetër: në të ardhmen, në fakt, Qatar Sports Investments mund të vendosë të investojë edhe në klubin që luan në Premier League.

Pra, kjo dyshe do të kërkojë t’i garantojë Sampdoria-s një fillim të ri. Do të duhet të përballen me konkurrencën nga një ofertë tjetër, edhe nëse ka besim të moderuar.

Ndërkohë QSI nuk ndalet dhe vazhdon të zgjerojë turin e saj në botën e futbollit, si në Europë ashtu edhe jashtë saj. Në fakt, mesa duket po punohet jo vetëm për Sampdoria-n, por edhe të tentohet blerja e aksioneve të Malaga-s dhe Santos-it. Me pak fjalë, një zgjrim si njollë vaji për pasanikët e Katarit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit