Pse legjionarët kuqezinj spikasin me klubet e tyre, por “zhduken” në kombëtare?!

7 Prill 2026
12:44
Alfred Lleshi
back button

Pas humbjes së dhimbshme në “play-off” ndaj Polonisë, ku Shqipëria i shuajti shpresat për kualifikim në Botëror, për herë të parë në histori, legjionarët kuqezinj u rikthyen në klubet e tyre dhe dhanë direkt sinjale pozitive që konfirmojnë potencialin e tyre. Megjithatë, ajo që bie në sy është çështja e përsëritshme e performancës: shumë prej tyre spikasin në kampionatet ku aktivizohen, por në kombëtare duket sikur “zhduken”.

Shembujt e fundjavës së kaluar janë të qartë: Ardian Ismajli (Torino) zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme në fitoren 1-0 ndaj Pisa, duke u zgjedhur lojtari më i mirë. Arbër Hoxha (Dinamo Zagreb) kontribuoi menjëherë pas hyrjes në minutën e 65-të me një asist vendimtar në rezultatin 7-0. Myrto Uzuni (Austin) dha një asist vendimtar në barazimin 2-2 ndaj Inter Miami dhe ishte shumë aktiv në gjithë ndeshjen. Titullarë të tjerë si Thomas Strakosha, Klisman Cake, Juljan Shehu, Kristjan Asllani dhe Qazim Laçi vazhdojnë të jenë kyç në klubet e tyre.

Natyrshëm lind pyetja: Pse ky ndryshim drastik paraqitjesh në aksin klub-kombëtare? Pse legjionarët kuqezinj spikasin me klubet e tyre, por “zhduken” në kombëtare?!

Sistemi dhe koha e kufizuar – Në klub, lojtarët punojnë çdo ditë me të njëjtin trajner dhe automatizma taktike, ndërsa në kombëtare koha është e shkurtër dhe përgatitja për lojëra komplekse sulmuese është e vështirë.

Presioni i ndryshëm – Për legjionarët, presioni te klubi është i njohur dhe menaxhohet me rutinë. Te Shqipëria, pritshmëritë kombëtariste dhe mediatike janë më të larta, gjë që shpesh ndikon në performancë.

Hierarkia dhe përgjegjësitë – Në klub, rolet dhe përgjegjësi janë të qarta. Në kombëtare, shpërndarja e detyrave ndryshon, hierarkitë nuk janë konsistente dhe ndikimi individual mund të reduktohet.

Ndërtimi i lojës kolektive – Me fanellën kuqezi, sistemi i lojës nuk ka konsistencën dhe rrjedhshmërinë që mund të nxjerrë në pah karakteristikat e veçanta të lojtarëve si në klub. Pra, nuk është se legjionarët kuqezinj nuk kanë cilësi, shpesh ata janë vendimtarë në klubet ku aktivizohen. Problemi qëndron te sistemi i kombëtares, i cili nuk iu krijon kushte optimale për të shfaqur potencialin maksimal, duke i futur në situata taktike ku vlera e tyre individuale nuk përkthehet në performancë kolektive.

Për të nxjerrë maksimumin nga legjionarët, Shqipëria duhet të ndërtojë identitet të qartë loje dhe automatizma sulmues, si një “klub kombëtar” që funksionon çdo herë, jo vetëm në teori. Roli i Sylvinhos si trajner i kombëtares shqiptare është i dyfishtë: nga njëra anë, ai ka sjellë një frymë dekurajimi, duke aktivizuar disa lojtarë që nuk kanë minutazh të rregullt me klubet e tyre, por dhënë mundësinë të tregojnë veten në arenën ndërkombëtare.

Kjo ka pasur njëlloj efekti pozitiv, pasi këto futbollistë ndihen më të motivuar dhe kanë eksperiencë të vlefshme, që mund ta përdorin për ta ndihmuar kombëtaren në momentet kyçe. Nga ana tjetër, lënia në stol e atyre që spikasin javë për javë me klubet ka shtuar kritikat ndaj trajnerit brazilian. Në këtë drejtim janë lakuar pa fund emra si Ernsest Muci apo Anis Mehmeti, fjala vjen. Kjo ka krijuar debate për prioritetet e trajnerit dhe ka ngjallur pyetje mbi kriteret e seleksionimit.

Disa analistë vënë në dukje se prioritizimi i “senatorëve” të paaktivizuar me klubet mund të dobësojë performancën afatshkurtër të kombëtares në ndeshjet e rëndësishme. Ndikimi i Sylvinhos shihet si një ekuilibër i hollë. Ai kërkon të ndërtojë një grup të bashkuar dhe të gatshëm për të ardhmen, por në të njëjtën kohë rrezikon të mos përfitojë maksimumin nga talentet që tashmë janë në formë dhe në ritëm me klubet e tyre. Nëse Sylvinho po mendon tashmë për “stacionin” e radhës si trajner, dikotomia klub-trajner duhet sheshuar nga drejtoria teknike e FSHF-së, bashkë me trajnerin e ri.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit