Pulisic rrëfen sezonin e parë kuqezi: Nuk i jap vetes më shumë se notën 7, sekreti i golave të mi është.. Leao

21 Maj 2024
8:10
Alfred Lleshi
back button

Në Milanin e fundit të Stefano Piolit, që do ta përfundojë kampionatin në vendin e dytë, por me tifozët që protestojnë kundër pronësisë amerikane, një nga gjërat e mira të sezonit ishte performanca e Christian Pulisic.

“Captain America” erdhi nga Chelsea për rreth 20 milionë euro dhe mes shumë dyshimeve, pas viteve të vështira në Londër, shënoi 15 gola e dha 9 asiste për kuqezinjtë. “Kisha besimin e të gjithëve që nga dita e parë, – zbuloi amerikani, i cili megjithatë “fluturon ulët”. – Ishte një pikë kthese për mua, por nuk i jap më shumë se notën 7 kampionatit tim me Milanin”.

Në sezonet e mëparshme mes Chelsea dhe Dortmund, por shpesh edhe me kombëtaren, Pulisic dha më të mirën në qendër, ose duke u nisur nga e majta. Pozicion i zënë te Milani nga Leao, i cili detyroi Piolin dhe vetë mesfushorin sulmues të kalonte në krahun e djathtë:

“Ndonjëherë bëj shaka me stafin, nuk jam më i aftë të luaj në të majtë. Jam mësuar të luaj në të djathtë dhe kam përfituar nga kjo një sekret i vogël i Rafa Leao. E kam studiuar atë dhe kam kuptuar se si lëviz, ndaj jam gati në hapësirën që lë mbrojtja të lirë për t’iu kundërvënë”.

Pikërisht për paraqitjen e portugezit, Pulisic i ka të qarta idetë: “Rafa merr shumë kritika, sepse të gjithë i kujtojnë ditët e tij më të mira. Të gjithë presin që të jetë gjithmonë në maksimumin e tij, çdo javë, të shënojë 50 gola në sezon. Leao është i pari që e di se duhet të angazhohet për t’i dhënë më shumë Milanit dhe karrierës së tij”.

Ndër arsyet e transferimit te Milani në verën e vitit 2023 ishte edhe biseda e hapur me trajnerin Pioli: “Gjatë asaj bisede, ai më tha saktësisht se çfarë donte nga unë, në cilin rol do të më përdorte. Them se e kam përmbushur atë angazhim, ndihem mirë me të”.

Megjithatë, tifozët kuqezinj e mbyllën sezonin duke kontestuar pronësinë amerikane të klubit: “Ata na shtynë dhe na ndihmuan gjatë gjithë sezonit, e respektoj gjendjen e tyre aktuale shpirtërore. Në Ligën e Evropës dhe në derbin e humbur ndaj Interit nuk luajtëm me organizimin e duhur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit