Rabiot del lojtar i lirë, dridhet Juventusi. Në skenë për francezin shfaqet edhe Milani

2 Korrik 2024
10:50
Alfred Lleshi
back button

Qershori u mbyll, 1 korriku shënon nisjen zyrtare të merkatos në futboll. Juventusi dridhet sepse Adrien Rabiot është zyrtarisht lojtar i lirë. Kontrata e rinovuar vitin e kaluar tani ka skaduar dhe mesfushori francez mund të nënshkruajë vërtet për këdo tani, edhe nëse oferta e rinovimit të bardhezinjve është ende e vlefshme, por aty në tavolinë po zë pluhur…

Kontratë 2-vjeçare, plus opsionin 2026-2027 me arritjen e disa objektivave personale, së bashku me pagën 7.5 milionë euro në sezon (pa përfshirë bonuset). Pozicioni i Rabiot ka qenë gjithmonë i qartë: fillimisht Kampionati Europian, pastaj e ardhmja e tij.

Përgjigja ndaj propozimit të Juves do të arrijë vetëm në fund të turneut që po zhvillohet në Gjermani. Ndërkohë, sikurse bën të ditur edicioni i sotëm i “Tuttosport”, nëna-agjente Veronique ka pohuar qëndrimin e saj, duke kërkuar të paktën 2 milionë euro komisione për firmën e lojtarit 29-vjeçar.

Për momentin gjithçka është ende e palëvizshme mes Juves dhe Adrien Rabiot. Ndërkohë janë zbuluar kontaktet fillestare mes agjentes dhe Milanit. Nuk është mister që klubi kuqezi dëshiron të shfrytëzojë rastin dhe t’i rrëmbejë nga duart “Zonjës së Vjetër” një lojtar titular të padiskutueshëm jo vetëm te bardhezinjtë, por edhe në kombëtaren franceze.

Sigurisht që Giuntoli nuk ka qëndruar duarkryq, sepse ardhja e Douglas Luiz është zyrtarizuar dhe prioriteti tashmë kalon tek Atalanta, për të marrë Koopmeiners.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit