20 nëntori 2024 do të hyjë në histori si një nga ditët më të trishta në tenisin spanjoll dhe atij botëror. Humbja e Spanjës ndaj Holandës në çerekfinalet e Davis Cup i dha fund karrierës legjendare të Rafael Nadal.
Në moshën 38-vjeçare, kampioni spanjoll “vari raketën në gozhdë” pas 1307 ndeshjeve teke dhe 219 dyshe. Në karrierën e tij ai fitoi 103 tituj, përfshirë 22 Slam dhe qëndroi 209 javë si numri 1 i botës. Ai fitoi dy medalje të arta olimpike, 5 Kupa Davis dhe pothuajse 135 milionë dollarë në parà.
Nadal do të mbahet mend si tenisti më i fortë në fushat me dhè (14 tituj në Roland Garros, një rekord pothuajse i pamundur për t’u barazuar) dhe për sfidat e shumta kundër Roger Federer dhe Novak Djokovic që bënë historinë e tenisit në 15-20 vitet e fundit.
Nadal e mbylli karrierën me humbje, pasi u mund 2-0 (6-4, 6-4) nga holandezi Van de Zandschulp. Alcaraz barazoi serinë 1-1, pas fitores 2-0 ndaj Griekspoor, por më pas Holanda fitoi në lojën dyshe 2-0 ndaj Spanjës, duke avancuar në gjysmëfinale dhe eliminuar iberikët.
Eliminim që i dha fund edhe karrierës së Rafael Nadal. Ndaj, nga sot bota e tenisit është pak më e varfër, sepse përveç një kampioni të madh i thotë lamtumirë një njeriu të madh që është shembull sportiviteti dhe përkushtimi në punë.
Nadal do t’i mungojë miliona tifozëve spanjollë, por jo vetëm kaq: Ai do t’u mungojë të gjithë atyre që e duan këtë sport dhe që u pasionuan falë magjisë dhe forcës së tij të jashtëzakonshme të shpirtit.