Pak ditë më parë, Rafael Nadal i dha lamtumirën sportit të tenisit, një karrierë legjendare që u mbyll në Kupën Davis, me fanellën e kombëtares. Gjithsesi, edhe pse në moshën 38-vjeçare Nadal vendosi të tërhiqej nga sporti profesionist ai nuk e ka humbur dëshirën për të qenë konkurrues.
Siç raportohet nga gazeta spanjolle “Ultima Hora de Mallorca”, pasi kaloi zhgënjimin e ndeshjes së fundit të luajtur dhe të humbur kundër Botic Van De Zandschulp, Nadal u shfaq të shtunën në mëngjes me çantën e tij në fushën e golfit Son Servera, në qytetin e tij të lindjes në Mallorca.
Nadal është një i apasionuar pas golfit. Spanjolli e përfundoi ditën me një rezultat prej 76 gjuajtjesh, katër mbi të njëjtin nivel, duke u renditur i teti në kategorinë e tij dhe duke bërë tre “birds” gjatë rrugës, në vrimat 3, 9 dhe 16. Skuadra e tij, Akademia Rafa Nadal, u rendit e katërta në kategorinë e përgjithshme.
Duket se spanjolli po bën hapat e parë të një jete të re, njëkohësisht gati për t’iu përkushtuar familjes, biznesit dhe pasioneve të tij të mëdha: Golfit, varkave dhe pse jo, tenisit parë nga një këndvështrim tjetër. Gjithçka përballë detit të qytetit të mrekullueshëm të lindjes.