Është një nga lojtarët e padiskutueshëm në formacionin titullar të kuqezinjve. Përshkon kilometra të tëra gjatë një 90 minutëshi, ndaj konsiderohet “motori” i mesfushës së kombëtares shiqptare. Pavarësisht ndonjë luhatjeje në muajt e fundit, sa i përket formës sportive, Ylber Ramadani është pikë referimi për planet taktike të lojës së Sylvinho.
Sot ai doli në konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Ligës së Kombeve, por jo vetëm. Referuar Çekisë dhe Ukrainës, të cilat do t’i sfidojmë në “Arena Kombëtare” më 16 dhe 19 nëntor, mesfushori i Lecce në Serie A nënvizoi:
“Të dy kundërshtarët e radhës janë të fortë. Megjithatë, për momentin po mendojmë vetëm për Çekinë, pastaj bëjmë llogaritë për Ukrainën. Po përgatitemi si të luajmë kundër çekëve, kemi avantazh tifozët tanë, që janë një shtysë e madhe për Shqipërinë. Në futboll gjërat funksionojnë ndeshje pas ndeshje, presion ka gjithmonë, por duhet të dimë ta përballojmë.
Ndeshjen në fushën e Çekisë e humbëm prej dueleve dhe topave të gjatë, por këtu duhet të jetë diçka tjetër. Me këdo që luaj si partner mesfushe, unë ambientohem shpejt. Mund të rri edhe mbrapa për ta ndihmuar mbrojtjen. E di trajneri ku jap më të mirën, ai vendos për mënyrën e lojës dhe formacionin. Nuk lodhem asnjëherë, nuk i shikoj statistikat, por vetëm analizën e trajnerit. Nuk kam kohë për t’i shikuar statistikat.
Sulmuesi kryesor i Çekisë është shumë i gjatë, duhet ta markojmë me dy veta. Ai është i fortë fizikisht, bën gjithë lojën e Çekisë. Të gjithë që kemi ardhur këtu duam të marrim rezultate pozitive. Do të japim maksimumin për të marrë fitore. Do ta ndryshojmë qasjen dhe përkushtimin në ndeshjen ndaj Çekisë, karahasuar me përballjen e parë ndaj saj”.