Ramadani bën deklaratën shokuese: Isha vërtet shumë sëmurë, rrezikova të vdisja

17 Maj 2024
8:36
Alfred Lleshi
back button

Janë shokuese vërtet deklaratat e mesfushorit shqiptar të Lecce, Ylber Ramadani, për atë që i ndodhi së fundmi: “Isha shumë i sëmurëm rrezikova të vdisja. Tani jam mirë dhe me të vërtetë duhet të falënderoj presidentin, drejtorët Corvino dhe Trinchera, trajnerin e të gjithë klubin.

Isha vërtet i sëmurë, kishte një shqetësim të madh, por tani jam kthyer, jam mirë dhe ndihem i lumtur që ia dola, duke festuar shpëtimin tim. Ishte si të kisha një familje rreth meje. Për 10 ditë, të gjithë më shikonin sikur të isha fëmijë, sikur të isha djali i të gjithëve, nga presidenti, drejtorët apo trajneri”.

Mesfushori i kombëtares sonë kuqezi, një nga pikat e padiskutueshme referuese të trajnerit Sylvinho, gjatë një bisede me DAZN foli për problemin e rëndë shëndetësor që kishte pak kohë më parë. Me këtë rast falënderoi publikisht Lecce dhe drejtuesit e klubit për mbështetjen e pakursyer që nga momenti i parë.

Po çfarë shqetësimi shëndetësor pati Ramadani, sa u frikësua kaq shumë për jetën? Më 23 prill, Lecce lëshoi një buletin zyrtar mjekësor, ku konfirmoi se lojtari shqiptar kishte një abces në qafë, që ia vështirësonte frymëmarrjen:

“Ramadani pësoi një absces në qafë, që i shkaktoi vështirësi në frymëmarrje për disa ditë. Lojtari iu nënshtrua menjëherë analizave dhe terapive të specializuara, të cilat i lejuan të shmangte operacionin. Fatmirësisht, tani është në përmirësim e sipër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit