Ramsey dhe Rabiot “në pjatë”, Juventusi përgatit sulmin final për Pogba

15 Shkurt 2020
9:14
Alfred Lleshi
back button

Merkatoja e verës është akoma katër muaj e gjysmë larg, por, normalisht, fletoret e drejtorëve sportivë janë plot me emra për të ardhmen. Paul Pogba është shkruar me të kuqe nga Fabio Paratici, asnjëherë i harruar nga Juventusi, pas shitjes shumëmilionëshe te “Djajtë e Kuq”. Eksperienca e dytë në Angli e kampionit të botës, megjithatë, nuk po shkon sipas planit. Vetëm tetë paraqitje në këtë sezon për shkak të dëmtimit të këmbës, që e mundon atë prej ca kohësh. Vitin e kaluar, me Mourinho në stol, ai përjetoi një situatë të ndërlikuar edhe në nivelin personal. 

Fjala “i paprekshëm” nuk lidhet më me Pogba, të cilit do t’i mbesë vetëm një vit kontratë në qershor. Kjo do të thotë që Manchester United mund ta shesë atë për aq sa e ka blerë, pa pësuar humbje, një shifër që padyshim është e shtrenjtë. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Juventusi ka një “kartë” shtesë në dorë: njërin mes Aaron Ramsey dhe Adrien Rabiot, me vlerë 25-30 milionë euro. Nëse “Djajtë e Kuq” do të binin dakord për këtë lloj formule, vlerësimi i Pogba do të mbetej në 45-50 milionë euro.

Juventusi, nga ana e tij, mund të përfitojë nga uljet e taksave të rezervuara për lojtarët nga jashtë. Për një kontratë 5-vjeçare do të shpenzonte 100 milionë euro bruto (Pogba fiton 14 milionë neto në sezon, plus bonuse) dhe disbursimi i përgjithshëm do të arrinte në rreth 150 milionë euro. Ndërkohë, Raiola nuk e ka përjashtuar në asnjë mënyrë kthimin e klientit të tij në Torino, siç konfirmoi edhe pas ndeshjes së fundit Milan-Juventus: “Ne flasim për shumë gjëra me Nedved dhe Juventisin. Diskutojmë edhe rreth Pogba apo lojtarëve të tjerë, siç është e drejtë me një klub të shkëlqyeshëm. Ne duhet të përfaqësojmë, informojmë, shohim, hedhim hipoteza, ëndërrojmë… 

Për Paul, ashtu si Juventusi, interesohen edhe skuadra të tjera, por tani është me Manchester United. Ajo që mund të them është se për Pogba dhe Ibra, Italia është një shtëpi e dytë. Ai nuk do të kishte keqardhje po të kthehej te Juve, por do të flasim për këtë pas Kampionatit Europian. Në merkato nuk ka asgjë të pamundur. Juve, PSG, Real Madrid e kanë demonstruar tashmë këtë. Realizimi i gjërave të pamundura është pjesë e merkatos së futbollit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit