Raphinha zbulon jetën e tij si “vagabond”: Kam lypur në rrugë, shumë miq e shokë i humba prej trafikut të dro*ës

16 Shtator 2022
10:14
Alfred Lleshi
back button

Raphinha, lojtari brazilian që Barcelona e bleu kësaj vere për 48 milionë euro fikse dhe 12 milionë të tjera bonuse, ka folur për anën e tij më personale në një artikull të shkruar nga vetë ai në “UOL Esporte”. Në një artikull të gjerë, Raphinha (Raphael Dias Belloli) rrëfen 25 vitet e jetës së tij dhe rrugëtimin nga varfëria në elitën e futbollit:

“Më duhet t’ju them një të vërtetë: është shumë e ndërlikuar. Për dikë të lindur në një lagje si ajo e imja është e vështirë të qëndrojë i fokusuar. Unë jam nga Restinga (një lagje në zonën jugore të Porto Alegre). Është e vështirë ta ndjekësh rrugën e të mos e humbasësh atë.

Mundësitë shfaqen dhe ka shumë. Premtojnë një mënyrë më të lehtë për të fituar para. Dhe ja ku njerëzit humbasin. Unë kurrë nuk u largova nga rruga, por isha dëshmitar, eca përkrah njerëzve që ishin duke humbur.

Kam humbur shumë miq në botën e krimit, në trafikun e drogës… Miq që kanë luajtur dhjetë herë më mirë se unë dhe që mund të ishin në një klub të madh futbolli në botë.

T’i kisha pranë këto shembuj ishte një faktor i rëndësishëm për të mbajtur fokusin tim. E dija se çfarë doja që në moshë të vogël: të bëhesha futbollist. Arritja e këtij qëllimi duke dalë nga një lagje si e imja është sakrificë e madhe. Por ambicia ime ishte edhe më e madhe. Unë nuk devijova. Nëse sot flasin për ‘magjinë’ time në futboll, them se… kjo është magjia e vërtetë”.

Raphinha donte të vinte në pah ndikimin e familjes në jetën e tij: “Falë familjes sime nuk e lashë kurrë shkollën dhe injorova mundësitë që kisha për të marrë rrugën e gabuar. Për shkak të tyre jam këtu sot.

Do të ishte e padrejtë të them se kam qenë i uritur në jetën time, sepse prindërve të mi nuk iu mungonte kurrë ushqimi në shtëpi. Megjithatë, pas stërvitjes, qëndroja në rrugë dhe u kërkoja njerëzve të më blinin diçka për të ngrënë ose një meze të lehtë. Disa njerëz më ndihmuan, të tjerët më tallnin me ironi. Dhe nuk kisha çfarë të bëja, prisja autobusin për të ikur në shtëpi dhe ngrënë diçka. Unë isha midis 12 dhe 14 vjeç në atë kohë”.

Raphinha, i cili në Brazil luajti për Avaí F. C. dhe Vitória de Guimaraes përpara se të bënte kapërcimin te Sporting Portugal, thekson se në karrierën e tij “episodi më i dukshëm dhe më i rëndësishëm ishte vendimi për t’u larguar nga Rennes (Francë) për në Leeds (Angli)”: “Ishte e vështirë të largohesha prej andej kështu, por më thirri Premier League, kampionati i kaq shumë yjeve, që e kam ndjekur gjithmonë me sy të ndezur. Ishte ëndrra ime e fëmijërisë”.

Anësori brazilian shkruan më tej: “Me shumë mund dhe përkushtim arrita atë që kam dashur gjithmonë. Tani jam te Barcelona, klubi më i madh në botë.

Kam pasur shumë oferta pas kohës sime me Leeds, por e dija saktësisht se çfarë doja. Idhujt e mi të fëmijërisë luanin për Barcelonën, kështu që e kisha ëndërr të vija këtu dhe nuk kurseva asnjë përpjekje.

Ronaldinho Gaúcho është një nga idhujt e mi, edhe ai kishte veshur fanellën e Barcelonës. Nuk mund të flisja me të para se të vija këtu, por jam i sigurt se ai do të më thoshte të ndjek ëndrrën time”.

Raphinha theksoi në “UOL Esporte” rolin e rëndësishëm që ka muzika në jetën e tij: “Në gjithë këtë trajektore më ka shoqëruar muzika. Gjithmonë them se është streha ime. Kur kam kohë, kur shkoj të stërvitem, apo edhe para lojrave më shoqëron muzika. Pothuajse gjithmonë. Për mua është si një ilac relaksues që më ndihmon të përqendrohem”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit