Rasti “Griezmann”; së pari 80 milionë, pastaj 300 euro. Ja sa kushton paqja mes Atletico dhe Barçës…

22 Tetor 2019
13:00
Alfred Lleshi
back button

15 milionë euro për paqen mes Atletico Madridit dhe Barcelonës. Ky fakt u zbulua nga e përditshmja politike spanjolle “El Mundo”. Klubi katalanas i futbollit ia pagoi homologut kryeqytetas një shumë të tillë për ta mbyllur (mos)marrëveshjen e Griezmann. Francezi kaloi në verë nga “Wanda Metropolitano” në “Camp Nou”, falë pagesës prej 120 milionë euro, aq sa u tkurr klauzola e tij në kontratë prej 1 korrikut.

Problemi është se kjo klauzolë ishte 200 milionë euro deri më 30 qershor 2019, ndërsa reduktohej me 80 milionë euro një ditë më pas.

Pikërisht këtë ditë ka pritur Barcelona, që ta marrë lojtarin. Dukej çdo gjë normale, por Atletico Madridi kishte në posedim dokumente konfidencialë, që vërtetonin se Griezmann dhe Barça kishin rënë dakord për këtë skenar që në mars. “Rojiblancos” e denoncuan rastin në organet federale spanjolle, që vepruan shpejt, duke e ndëshkuar klubin blaugrana me një gjobë… 300 euroshe. Një shifër qesharake, krahasuar me 80 milionët e kërkuara nga pala e dëmtuar. Kjo “shaka” bëri menjëherë xhiron e botës.

Me sa duket, beteja legale vazhdoi dhe përfundoi me marrëveshjen e zbuluar nga “El Mundo”. Barça ka paguar 15 milionë euro të tjera për francezin, por në kthim merr të drejtën për t’i kontaktuar 5 lojtarë të Atletico Madridit në të ardhmen, përfshirë Saul dhe Gimenez, dy nga xhevahirët e “Cholo”. Në përgjithësi, duket një marrëveshje mjaft e favorshme për katalanasit, që kanë marrë Griezmann me çmimin e ulur, kanë shmangur sanksionet serioze për shkak se kanë kontaktuar e mbyllur marrëveshjen me një lojtar nga një klub tjetër, jashtë afateve të lejuara, dhe tani do të jenë në gjendje të provojnë, nëse dëshirojnë, të marrin lojtarë të rëndësishëm të rivalët e La Liga-s.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit