Real Madrid-PSG / Ancelotti: Me apo pa Mbappe…; ia kam premtuar këtë dhuratë Perezit

8 Mars 2022
15:49
Alfred Lleshi
back button

Real Madridi është thirrur të rikuperojë disavantazhin 1-0 të “Parc des Princes”, ku skuadra e Carlo Ancelottit luajti një nga ndeshjet më të këqija të sezonit. Trajneri italian është i bindur se skuadra e tij do ta shpagojë veten nesërmë në kthimin me gjigantët francezë:

“Duhet të jemi të kujdesshëm në fazën mbrojtëse dhe në presing, pastaj kontributi i tifozëve do të jetë i rëndësishëm. Në ndeshjen e parë vuajtëm presionin e tyre dhe nuk dhamë çfarë kishim përgatitur, nuk gjetëm mundësi. Mbrojtja e thellë na ndihmoi të mos pësonim gola, edhe pse në fund u ndëshkuam një herë.

Kjo ishte PSG-ja më e mirë, nesër do të shihni Realin më të mirë. Kemi punuar në aspektin fizik. Në Paris nuk luajtëm mirë, por nesër do të jemi krejt ndryshe, kemi besim. Benzema është mirë, është kthyer në nivelet para dëmtimit”.

Disa fjalë edhe për rrezikun që vjen nga Mbappe: “Ne kemi menduar se si të përballemi me Mbappe, Messi, Neymar dhe të gjithë lojtarët e PSG. Me dhe pa top, duke pasur intensitet për 90 minuta dhe luajtur një lojë të plotë, inteligjente, pa u çmendur.

Lëndimi i Kylian? Unë gjithmonë shpresoj që lojtarët të jenë mirë. Ai do të ketë mundësi të luajë dhe ne do të përgatitemi për ndeshjen duke menduar se ai do të jetë në fushë.

“Bernabeu” na jep shumë moral, ne e dimë se çfarë kërkon stadiumi ynë dhe do t’i kënaqim tifozët. Shpresoj t’i jap Perezit kualifikimin në çerekfinale për ditëlindjen e tij”.

Kthimi me PSG – “Ne duam të kualifikohemi në çerekfinalet e Champions League, kompeticioni më i rëndësishëm. Rregulli i golit si mysafir është hequr, duhet të fitojmë dhe të bëjmë një ndeshje inteligjente. Thjesht të fitojmë me një gol diferencë, rezultati nuk kërkon të bëjmë një lojë të çmendur. Me apo pa Mbappe nuk ndryshon asgjë, përgatitemi për ndeshjen duke menduar të hedhim në fushë ekipin më të mirë”.

Nuk do të jetë Casemiro – “Ai është i pazëvendësueshëm për nga karakteristikat, por kemi Kroos dhe Camavinga. Ai është stërvitur sot, nëse e shohim 100% do të dalë në fushë. PSG ka Messi, Neymar dhe Verratti, por ne nuk mendojmë për individualitetet. PSG është një ekip i madh, nuk duam të bëjmë si në ndeshjen e parë, kur kemi luajtur keq”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit