Real Madridi statik përballë “rock and roll” të Barcelonës, ja si Flick e çmontoi Ancelottin

29 Tetor 2024
9:08
Alfred Lleshi
back button

Real Madridi u mburr se shënoi 5 gola kundër Borussia Dortmundit në 35 minuta (duke përmbysur disavantazhin 2-0 të pjesës së parë), por i “uli veshët” ndaj Barcelonës, e cila i shënoi 4 gola për gjysmë ore. Është e vërtetë që gabimet e mëdha në sulm i “minuan” shanset e “Los Blancos”, por Ancelotti la sërish një gjurmë të paplotë pune, që e vë në alarm “zonën fisnike” të klubit madrilen.

“Kemi humbur edhe më parë këtu 4-0 ndaj Barçës dhe pastaj fituam La Liga-n dhe Ligën e Kampionëve, – mbrojt trajneri italian, i cili për t’i hedhur sadopak melhem plagës, shtoi:  – Nuk do të jemi larg sezonit të kaluar”.

Problemi është se Real Madridi nuk befason më asnjë rival përballë një palëvizshmërie taktike, në të cilën nuk shihet asnjë evoluim, përveç përpjekjes së pasuksesshme për ta vendosur secilin lojtar aty ku performon më mirë, duke përfshirë Mbappe, për të cilin Vinicius e mbyll korsinë e majtë. Kësaj i shtohet edhe kthimi i shpinës lojtarëve në stol, të cilët kanë kohë që kërkojnë shansin e tyre.

Humbja 4-0 në “Santiago Bernabeu” dhe kundër Barcelonës ishte një “shuplakë” e hidhur për trajnerin italian, edhe pse ka kontratë deri në vitin 2027. Florentino Pérez ka pushuar trajnerë për shumë më pak, duke filluar nga vetë Ancelotti. Një skuadër që nuk transmeton ndjenja të mira, që fiton me talent, por pa plan loje. Një recetë që ka dhënë rezultate deri tani, por ka filluar të çedojë.

Italiani kujdeset vetëm për punën në mbrojtje të ekipit të tij, ndërsa gjermani punon në të dyja drejtimet. Lojtari madrilen fokusohet në lojën pa top dhe e lë ndërtimin e futbollin sulmues në duart e improvizimit, ndërsa Blaugranët i zgjedhin të dyja opsionet në mënyrë korale. Ata kanë plan loje me dhe pa top.

Ai “bast” i ka funksionuar italianit, duke i dhënë soliditet skuadrës, e aftë për t’u mbyllur si një molusq, për të qenë konsistente dhe bërë rivale e vështirë për t’u mundur. Megjithatë, Barça tregoi se kur një ekip punon mirë në mekanizmat e tij sulmues, të lidhur me ato mbrojtës, e ngre nivelin për t’i çmontuar rivalët me dhe pa top.

Mesazhi i Ancelottit nuk arrin më në dhomën e  zhveshjes së Real Madridit, e cila nuk është më si një familje, me të njëjtin efektivitet. Ka një atmosferë të mirë kolektive mes lojtarëve në planin njerëzor, por ndjenja humbet gjatë rrugës, kur futbolli nuk rrjedh lirshëm.

Kritikat shumëfishohen midis komponentëve të ndryshëm, qoftë për shkak të një pasimi të lehtë, që ishte gol i sigurt (për shembull nga Vinicius te Bellingham me rezultatin 0-0) apo gabimeve të mëdha (Mendy në 0-1 e Barçës, duke i mundësuar golin Lewandowskit). Dështime të dhimbshme që Ancelotti i injoron, në vend që të ndërmarrë veprime.

Ajo që ndodhi në “El Classico” nuk është shumë befasuese. Real Madridi tregoi shenja të parregullsisë, mungesës së përqendrimit, intensitetit dhe konkurrencës, të luajtjes së futbollit statik dhe të rehatshëm duke kërkuar topin në këmbë.

Gjëja më e keqe për italianin është se Barça luajti “rock and roll” dhe tingëllonte më fort dhe më në harmoni seç synonte trajneri i bardhë. Kjo “El Clasicco” shtoi kritikët e Ancelottit dhe vë deri diku në dyshim vazhdimësinë e tij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit