Mbrojtësi kanadez i Bayern Munich, Alphonso Davies, është ende në dilemë për të ardhmen e tij. Prej kohësh përflitet për një transferim te Real Madrid, ekipit të cilit i shënoi në gjysmëfinalen e kthimit.
Anësori i majtë kanadez u përball me shumë ngadalësime në negociatat për zgjatjen e kontratës me Bayern, e cila skadon pas një viti. Real nuhati situatën dhe ka ndërhyrë në bisedime, ndaj tashmë gjithçka është në dorën e lojtarit.
Eksperti i njohur i merkatos Fabrizio Romano, zbuloi se bisedimet mes lojtarit dhe skuadrës spanjolle kanë avancuar shumë dhe negociatat janë ende në vazhdim. Nga ana tjetër, bavarezët i kanë ofruar rinovimin lojtarit.
Gjithçka varet nga vullneti i Alphonso Davies, nëse do të pranojë rinovimin ose do të largohet për të nënshkruar me Real. Gjithsesi, Florentino Perez nuk ka ndërmend të paguajë shumën prej 50 milionë eurosh të kërkuara nga bavarezët.
Te Real Madrid janë gati të presin edhe një vit për ta marrë falas lojtarin, ashtu sikurse bënë me Mbappe. Marrëveshja do të realizohet këtë verë vetëm me çmime të favorshme për spanjollët.