Interi i Simone Inzaghit siguroi një vend në çerekfinalet e Kupës së Italisë me fitoren 2-0 kundër Udinese. Golin e parë e shënoi Arnautovic, ndërsa Asllani vulosi fitoren që në pjesën e parë me një gol “olimpik”, direkt nga goditja e këndit.
I aktivizuar si titullar në vend të Calhanoglu, shqiptari u paraqit shkëlqyeshëm dhe realizoi një gol spektakolar. Pas ndeshjes, ai foli për mikrofonat e “Mediaset”:
“Unë nuk kisha shënuar kurrë një gol direkt nga goditja e këndit. Gjëja më e rëndësishme ishte të fitonim. Jemi të lumtur sepse po vazhdojmë me rezultate pozitive dhe po përmirësohemi gjithnjë e më shumë”.
Ish-lojtari i Empolit theksoi edhe rëndësinë e grupit dhe harmonisë mes lojtarëve: “Ai që ka më shumë rëndësi është grupi, i cili është fantastik. Kemi një kimi të shkëlqyer mes nesh në dhomat e zhveshjes, dalim shpesh bashkë dhe kjo krijon atmosferë pozitive, e cila pastaj na çon te rezultatet e kërkuara.
Duhet ta falënderoj edhe Arnautovic për mbështetjen, është një nga ata që gjithmonë i ndihmon lojtarët e rinj. Ai është thelbësor për grupin”.