Nuk kishte shënuar në Champions League prej më shumë se një viti. Ishte 7 nëntori 2023, kur Milani mundi PSG-në 2-1 në “San Siro”, kur kishte realizuar golin e fundit në këtë kompeticion. Tani kuqezinjtë kanë ndryshuar fytyrë dhe duan me çdo kusht të hyjnë mes 8 më të mirëve të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.
Shumë do të varet nga forma e Rafa Leao, i cili ishte vendimtar në fitoren 3-2 kundër Slovan Bratislava. “Kjo ndeshje duhej të përfundonte me më shumë gola, duhet të jemi më agresivë para portës, – tha portugezi. – Në fund krijuam më shumë dhe fitorja ishte e merituar. Uljet dhe ngritjet e Milanit? Ndodh kështu gjatë një sezoni, koha për rikuperim është e shkurtër. Duhet të hyjmë në fushë gjithmonë për të arritur suksesin”.
Trajtimi i Fonseca duket se i ka bërë mirë ish-lojtarit të Lille, që në ndeshjet e fundit ka qenë vendimtar. “Besoj se gjithçka është zgjidhur. Ai e di që nuk më pëlqen të jem në stol, – vazhdoi Leao. – Sidoqoftë, jam gjithmonë gati për ta ndihmuar skuadrën time. Trajneri po bën një punë të shkëlqyer, shihet qartë ideja e tij. Gjithsesi, duhet ta kuptojmë më mirë atë që ai kërkon. Rezultatet do të vijnë me kohën”.
Për objektivat sezonalë të Milanit: “Ndeshja e sotme ishte shumë e rëndësishme për ta fituar. Duam të jemi në ‘top-8’. Mund ta arrijmë këtë duke fituar tri ndeshjet e fundit që na kanë mbetur në grupin e Champions League”.