Milani fiton në Monza falë golit të Tijjani Reijnders, i kthyer pas skualifikimit dhe mungesës ndaj Napolit. Holandezi, ashtu si kishte bërë në Champions ndaj Brugge, edhe sonte vendimtar, duke realizuar në pjesën e parë golin e vetëm të një ndeshje te vuajtur dhe dyluftuar nga të dy skuadrat.
Maignan bëri mrekulli në pjesën e parë, ndërsa Daniel Maldini u ndal nga shtylla. Monza shënoi por goli u anulua nga arbitri për një faull në sulm ndaj Theo Hernandez. Në pjesën e dytë, Milani kishte shumë raste për të mbyllur ndeshjen por nuk e bëri.
Aktivizimi i Leaos solli më shumë energji dhe rrezik dhe portugezi ishte duke shënuar një gol spektakolar duke dribluar të gjithë por u ndalua nga portieri Turati një kundër një. Gjithashtu pati shansin portugezi edhe disa minuta më pas, ashtu si edhe Alvaro Morata në fund.
Milani fiton në transfertë për herë të parë që prej muajit mars në kampionat. Në mesjavë, ndeshja e madhe në “Bernabeu” ndaj Real Madrid.