Mesfushori i Milanit, Tijani Reijnders, një nga protagonistët kryesorë të skuadrës së Paulo Fonseca në këtë pjesë të parë të sezonit, ka ndarë aspekte të jetës së tij personale dhe familjare në një intervistë për “Milan TV”, duke treguar një anë më të thellë të personalitetit.
Jeta në Milano – “Tani e konsideroj këtë qytet vërtet shtëpinë time. Që prej një viti, kur jemi në Holandë dhe i them gruas sime Marina të kthehemi në shtëpi, nënkuptoj Milanon. Ndihem shumë mirë këtu. Miqtë dhe familja mund të na vizitojnë pa shumë mundim, pasi fluturimi zgjat vetëm një orë e gjysmë. Italia është një vend fantastik, veçanërisht për ushqimin. Kur shkoj në qendër, është normale që tifozët të kërkojnë foto, por nuk është diçka që më bezdis”.
Rëndësia e familjes – “Mamaja ime është indoneziane, ndërsa babai holandez. Unë, vëllai dhe motra ime jemi një miks. Djali im, Xavièn, është një miks i çmendur, sepse gruaja ime është nga Iraku. Si fëmijë kisha ndikime nga kultura indoneziane, ashtu edhe ajo holandeze, gjë që më ka bërë njeriun që jam sot. Nga kultura holandeze kam marrë qëndrueshmërinë, ndërsa nga ajo indoneziane krenarinë për atë që bën. Jam krenar për familjen time dhe për mënyrën se si po më shkon karriera. Dua gjithmonë të jem vetvetja, këtë ndershmëri po përpiqemi t’ia mësojmë edhe djalit tonë”.
Vlera e vërtetë e parave – “Kur firmosa kontratën e parë me AZ Alkmaar, prindërit më thanë që, nëse doja, mund t’i shpenzoja të gjitha paratë. Paratë e bëjnë jetën më të lehtë, por në fund gjëja më e rëndësishme është të jesh i shëndetshëm dhe të ndihmosh të tjerët. Për këtë arsye kam zgjedhur babanë tim si agjent, sepse i besoj për menaxhimin e parave dhe të punëve të mia”.
Puna e parë në një supermarket – “Ishte një eksperiencë e mirë. Punova me dy nga miqtë e mi më të mirë dhe u kënaqëm shumë. Ishte interesante ta shihja jetën me një punë normale. Kjo më bëri të mendoj ndryshe për paratë dhe për jetën e mrekullueshme që kam tani”.
Dallimet mes Italisë dhe Holandës – “Në Holandë, darka hahet në orën 18:00 ose 18:30. Këtu, në atë orë restorantet janë të mbyllura. Më pëlqen të drejtoj makinën, ndonjëherë jam paralel me 4-5 makina dhe ndihem sikur jam në Mario Kart”.
Xavièn, djali i tij – “Që kur ka ardhur, jeta ime ka ndryshuar shumë. Më parë, kur humbisnim një ndeshje, qëndroja duke menduar për të gjithë mbrëmjen. Tani, kur kthehem në shtëpi dhe shoh atë, harroj shumë gjëra. Nëse do të luante futboll, do të doja të isha trajneri i tij. Çfarëdo që të zgjedhë të bëjë, më e rëndësishmja është që të argëtohet. Dua që ai të ketë gjithçka që i nevojitet. Nëse ai nuk ndihet mirë, do të doja që dhimbjen t’ia merrja unë. Gjëja më e rëndësishme për mua është që të jetë i shëndetshëm dhe i lumtur”.
Koleksioni i fanellave të futbollit – “Kam shumë fanella, disa prej tyre në Holandë. Kam fanellën e shokut tim më të mirë, Ehizibue të Udinese. Jemi nga i njëjti qytet, kemi luajtur bashkë, ishte dëshmitari im në martesë. Kam fanellat e Van Dijk, Gakpo dhe Gravenberch të Liverpool-it, fanellën e Kimmich të Gjermanisë, të Krunic të Bosnjës, të Frimpong. Kam edhe fanellën e Dumfries të Interit nga derbi që fituam. Kam fanellën e Theo Hernandez të Francës, dorezat e Maignan, fanellën e Mbappé të PSG-së dhe të Chukwueze të Nigerisë. Çdo fanellë ka historinë e saj”.
Marrëdhënia me vëllain, Eliano – “Ai është shoku im më i mirë, ndajmë gjithçka dhe flasim çdo ditë. Tani luan për kombëtaren e Indonezisë, jam shumë krenar për të. Që të vegjël kemi luajtur gjithmonë futboll së bashku”.