Kombëtarja e Francës nuk po bind më dhe barazimi ndaj Izraelit konfirmoi se skuadra nuk ëhstë në drejtimin e duhur. Aq sa edhe tifozët nuk po e ndjekin më në stadium.
Sipas të dhënave të publikauara sot në mediat franceze, në stadiumin “Stade de France” ishin të pranishëm vetëm 16 mijë tifozë. Kjo është konsideruar nga të gjithë si një atmosferë surreale, pasi shumica e stadiumit ishte bosh.
Kjo ka qenë pjesëmarrja më e ulët e kombëtares së francës në futboll në këtë stadium. Atmosfera në tribuna ishte sa e pazakontë aq edhe e rëndë, madje u prekën edhe protagonistët e ndeshjes.
“Padyshim nuk është kjo situata që duam të përjetojmë”, pranoi trajneri Didier Deschamps. Më tej ai shtoi: “Ky nuk është një justifikim, pasi kur jemi në Stade de France është gjithmonë i mbushur, por këtë herë nuk ishte ashtu edhe pse ne e dinim”.
Tashmë Franca do të luajë ndaj Italisë në “San Siro”, ku atmosfera pritet të jetë ndryshe, një stadium i mbushur plot, me mbi 60 mijë shikues. Deschamps, përpara ndeshjes së fundit të fazës së grupeve të Nations League paralajmëroi ndryshimet që do të vijnë.
“Sigurisht që do të ketë disa ndryshime. Nuk është justifikim, por para fillimit të grumbullimit kishte shumë lodhje të lojtarët. Kjo është logjike, pasi lojtarët vijnë nga një periudhë 3-javore e ngjeshur, pasi kishte nga 2-3 ndeshje në javë”, tha Deschamps.