Rënia e pandalshme e Sanchez, një ish-yll të cilit i peshon vetëm paga

4 Dhjetor 2018
21:25
back button

Kur javën e shkuar doli lajmi se Alexis Sanchez është i dëmtuar dhe nuk do të luajë në Old Trafford këtë të mërkurë, kundër ish-skuadrës së tij, pakkush u befasua tek Arsenali. Ky dëmtim nuk është thjesht fati i keq i problemeve fizike, por një situatë që po bëhej gjithnjë e më shumë e pashmangshme.

Ekzistonte me kohë ndjesia se Sanchez mund të përballej me ezaurim fizik në sezonin e tij të fundit tek Arsenali. Ka vite që sulmuesi kilian shkonte në limite, duke luajtur edhe 38 ndeshje në një kampionat, në vitin 2005.

Që atëherë ka kaluar shumë kohë, shumë lodhje që ndihet me kalimin e viteve dhe kjo është një nga arsyet pse thuhet se Juan Mata po e mund sulmuesin në sprinte tek United. Është një arsye e madhe pse Arsenali e la të lirë, falas. Tashmë është harruar edhe ideja se Manchester United bëri marrëveshjen më të mirë dhe fitoi një sfidë me Manchester City-n.

Në fakt, Arsenali dhe City duket se kanë qenë me fat. Tashmë kemi mbërritur në pikën ku të gjithë pyesin se pse United firmosi me Sanchez, duke parë që tashmë edhe kur është në formë të plotë fizike Mourinho nuk e konsideron titullar. Nuk ka zgjedhje tjetër, duke parë që Sanchez në vitin 2018 ka shënuar më pak se Chris Smalling e Patrick van Aanholt.

Pyetja e madhe është: United e bleu Sanchez thjesht sepse ka para dhe sepse përfaqësonte një yll dhe statusin e fituesit në merkato ndaj rivalit të qytetit, më shumë sesa ishte vërtet nevojë për të?

Flitet se Wenger u habit kur United u fut në garë për kilianin, sepse nuk e kuptonte si mund të përshtatej Sanchez tek Red Devils, sidomos duke parë si luan skuadra e Mourinho-s dhe sa e vështirë do ishte që Sanchez të jepte më të mirën e vet në atë skuadër. Realisht ndodhi pikërisht kjo, sepse United është një ekip pa intensitet, që zbehu totalisht një lojtar që te shpejtësia ka armën e vet më të fortë. Përfundoi me Sanchez që vrapon kot, pa drejtim e pa qëllim, në një skuadër pa struktyurë sulmuese.

Jashtë kamerave Wenger e ka përshkruar Sanchez si një lojtar “super, super të talentuar… por jashtëzakonisht të vështirë”. Ai e adhuron sulmuesin si lojtar, perfekt për lojën që aplikon trajneri francez, ndaj ia vlente rreziku. Sanchez ka qenë një “ujk i vetmuar”, nuk është përzier me kilianët e tjerë në Londër, por tashmë në Manchester ka mbetur fillikat, në një shtëpi gjigante, me qentë e tij dhe shiun. “Jashtëzakonisht i trishtuar”, thonë burime nga United për “Independent”.

Sanchez ndihet i vetmuar jo vetëm për faktin se tek unitet nuk ka gjetur skuadrën dhe lojën që do, por edhe sepse pati ofertë të shkëlqyer nga City, që i ofronte gjithçka që nuk po e gjen në krahun e kuq të qytetit. Tani ajo lëvizje nuk ka për të ndodhur kurrë dhe ndoshta Sanchez nuk do jetë kurrë një yll në një skuadër vërtet fituese. E pati shansin në periudhën kur ishte te Barcelona, 2011-13, por aty asnjëherë nuk u bë lojtar kyç, në një ekip plot yje. Ndoshta është një nga ato raste kur nj futbollist ka cilësi pa fund, por nuk ka pasur kurrë karrierën fatlume që të tregojë sa vlen. Nga ana tjetër, zgjedhjet dhe kontratat e tij kanë ndikuar në këtë trajektore për t’u harruar.

Tani Sanchez kërkon të largohet, por ka një kontratë të çmendur, me disa burime që thonë se bashkë me komisione paga e tij shkon deri në 500,000 sterlina në javë. Vetëm PSG mund ta përballonte një pagë të tillë, por klubi francez nuk është më i interesuar dhe ka halle të tjera, sepse ka shkelur çdo rregull të Fair Play Financiar. Nëse Real Madridi është i dëshpëruar në jar, mund të tentojë një huazim, por ndoshta me United që do paguajë një pjesë të madhe të pagës.

Blerja e Sanchez ishte një dështim sportiv dhe komercial për United, që shpresonte më kot se të drejtat e imazhit do vlenin shumë në Amerikën e Jugut. Një ringjallje tek United nuk duket e mundur, por vetëm nëse Mourinho largohet dhe vjen një trajner që të ndërtojë një skuadër rreth Sanchez. E vështirë të ndodhë, ky Sanchez është një kopje e shëmtuar e atij që ndizte Londrën deri para disa vitesh.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit