Retegui gati për Italinë dhe Serinë A: nis gara treshe për ta marrë

17 Mars 2023
15:01
Denis Hakanaj
back button

Në më pak se një javë, dritat e Diego Armano Maradona-s të Napoli-t do të rindizen për të mirëpritur sërish kombëtaren e Italisë pas dhjetë vitesh. Të enjten, më 23 mars, Italia do të dalë në fushë në kualifikueset e Euro 2024 për t’u përballur me Anglinë, në një klasike të madhe të viteve të fundit. Sidomos pas finales së Wembley në të cilën triumfuan Azzurrët.

Natyrisht, si gjithmonë, ka shumë pika interesi në një sfidë si kjo. Më i madhi do të jetë ndoshta debutimi tani një hap larg i Mateo Retegui. Argjentinasi është risia më e rëndësishme e këtyre grumbullimeve, e konfirmuar tashmë nga Roberto Mancini.

Trajneri i Italisë pak ditë më parë zbuloi se si ndiqet prej disa kohësh emri i lojtarit të datëlindjes ’99: “Nuk e menduam se donte të vinte, përkundrazi pranoi menjëherë dhe për këtë arsye do të grumbullohet”.

Trajneri nga Jesi e kishte thënë disa herë se kombëtarja kërkon një sulmues, sidomos duke qenë se Scamacca dhe Raspadori luajnë pak, Belotti ka rënë dhe Immobile është dëmtuar shpesh. Është e qartë se si veshja e fanellës axurre në mënyrë të pashmangshme ndikon edhe në të ardhmen e Retegui-t në nivel klubesh.

Tigre mund ta blejë përfundimisht nga Boca, kushdo që do ta marrë do të mund të përfitojë më pas nga një klauzolë prej 18 milionë euro, si ajo që kishte Enzo Fernandez dhe që italianët nuk e shfrytëzuan. Ndërkohë, sipas Calciomercato.it, tre ekipe të Serisë A duket se janë vënë në lëvizje.

Milan-i është skuadra që përmendet më së shumti me Retegui-n, i cili së shpejti do të jetë italo-argjentinas, sidomos duke pasur parasysh nevojën për të rinovuar paketën e sulmit. Maldini dhe Massara e mbajnë nën vëzhgim këtë lloj talenti, padyshim që do të ishte një investim interesant dhe sugjestionues.

Ka interes edhe Inter-i, i cili mund ta vlerësojë atë në rast të ndonjë shitjeje që duket e mundshme në çdo rast. Correa para së gjithash, por edhe e ardhmja e Lukaku-t është në dyshim, siç është edhe ajo e Dzeko-s pasi ka ende një distancë në rinovim.

Në këtë kuptim, Retegui do të ishte një emër i përsosur, edhe në nivel ekonomik, ndoshta me shpresën për të gjetur një Lautaro Martinez të ri. Edhe Roma mund të lëvizë për të përforcuar sulmin, me Belotti-n që nuk është aq i sigurt për konfirmimin e vendit dhe me Abraham që kërkohet në Angli.

Argjentinasi mund të jetë tipi i sulmuesit që pëlqen Mourinho, për sa kohë që Special One qëndron në Trigoria. Natyrisht nuk përjashtohet edhe një transferim jashtë Italisë, me klubet spanjollë që janë gjithmonë shumë të kujdesshëm ndaj lojtarëve të tillë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit